Xhaka i lumtur që Sunderlandi realizoi synimin e parë, ‘BBC’-ja me vlerësim interesant
Sunderlandi e ka realizuar synimin kryesor që e kishte për këtë edicion të Premier Leagues. Me fitoren 1:0 në udhëtim ndaj Leeda Unitedit, Sunderlandi ka arritur në shifrën e 40 pikëve. Grumbullimi i 40 pikëve ishte synim i fillimit të edicionit. Kjo shifër pikësh besohet se mjafton për të siguruar qëndrimin në Premier League.
Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, ndaj Leedsit ka luajtur prej minutës së 56-të. Ai është duke u rikthyer gradualisht pas një lëndimi që e mbajti jashtë fushës për pesë ndeshje. “Ne kemi folur në fillim të edicionit, synimi ynë ishte 40 pikë. Kemi bërë 40 pikë dhe tani duam më shumë pasi uria është e madhe. Ne duhet të qëndrojmë modest. E dimë prej nga jemi. Synimi ishte 40 pikë. Kur e arrin synimin e parë dëshiron më shumë. Uria është prezente. I marrim ndeshjet një nga një dhe të shohim ku do të arrijmë”, ka thënë Xhaka pas ndeshjes për “TNT Sport”.
Sunderlandi është duke u përballur me mungesa të rëndësishme, por Xhaka ka lavdëruar ata që kanë fituar rastin. “Për disa lojtarë nuk ishte e lehtë që nuk kanë luajtur. Por na duhen të gjithë. Nuk mund të kesh vetëm 11 lojtarë. Luke O’Nein, është shembull i rëndësishëm për këta lojtarë. Ai e meriton gjithë respektin që i bëhet. Është legjendë e këtij klubi. Por të gjithë lojtarët shfaqën karakter dhe kjo na duhet”, ka vazhduar Xhaka.
Me 40 pikë, Sunderlandi është stabil në mesin e tabelës, pas xhiros së 29-të të elitës angleze. Loja e kësaj skuadre është përmirësuar ndjeshëm pasi Xhaka ka hyrë në fushë. Kështu të paktën ka vlerësuar mediumi i fuqishëm anglez, “BBC”.
“Nuk ishte rastësi që Sunderlandi u përmirësua pas hyrjes së Xhakës. Deri në atë moment nuk ishte skuadra më e mirë në fushë. I kthyer nga një dëmtim së fundi, Xhaka mbeti në stol në fillim të ndeshjes ndaj Leedsit. 33-vjeçari kishte ndikim qetësues, ndërsa skuadra e arriti suksesin e parë në udhëtim që nga tetori. Sunderlandi përballoi edhe 12 minuta të tensionuar të kohës shtesë”, ka shkruar “BBC”.
Ky medium e ka vlerësuar se Xhaka ka pasur ndikimin më të madh te Sunderlandi prej të gjitha transferimeve, “me përvojën dhe lidershipin e tij”. Deri në fund të edicionit në Premier League janë edhe plot nëntë xhiro.



