
Xhaka me Leverkusenin synon titullin në Bundesliga
Bayern Munchen ka gabuar në fundjavë, derisa në anën tjetër Bayer Leverkusen ka vazhduar me fitore dhe është në rrugë të mirë për tu shpallur kampion në Bundesliga.
Diferenca prej shtatë pikësh mes dy skuadrave, ka bërë që mesfushori i Leverkusenit, Granit Xhaka mos t’i fshehë më ambiciet e ekipit të tij.
Xhaka ka insistuar se skuadra e tij i ka të gjitha elementet që i duhen për të pasur sukses këtë edicion.
“Ekipi ynë nuk është dorëzuar asnjëherë këtë edicion dhe këtë e dëshmoi edhe në ndeshjen e fundit. Asnjë ndeshje dhe asnjë rezultat që e kemi marrë këtë edicion nuk ka qenë i rastësishëm, por i përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë fillimisht Xhaka.
Tutje, mesfushori kosovar ka insistuar se trajneri Alonso e ka transformuar tërësisht Leverkusenin.
“Ai na ka sjellë shumë gjëra. Ai nuk ia lë asgjë rastit pasi kujdeset për secilin detaj. Të gjithë lojtarët e dinë se duhet të jenë në pozitat e tyre në fushë, të gjithë e dinë se si të sulmojmë kundërshtarin dhe si të futemi në zonën e tij. Pra, gjithçka është e sinkronizuar”, përfundoi ai.
Granit Xhaka iu bashkua Leverkusenit gjatë verës së kaluar nga Arsenali dhe ka kontratë deri në vitin 2028.
Leverkuseni nuk është shpallur asnjëherë kampion i Bundesligës dhe këtë edicion po shpreson t’i japë fund kësaj pritjeje.
Ndeshja e radhës për Bayer do të jetë të shtunën në shtëpi kundër Borussia Monchengladbach nga ora 18:30.