Xhaka: Të fitosh titullin e parë në histori është e pabesueshme, tani synojmë Ligën e Evropës

19 prill 2024 | 15:20

Bayer Leverkuseni u kualifikua në mesin e katër ekipeve më të mira të Ligës së Evropës, duke zgjeruar në 44 numrin e ndeshjeve pa humbje në të gjitha garat këtë sezon.

Të besuarit e Xabi Alonsos luajtën baras me rezultat 1-1 ndaj West Hamit në Londër, duke u kualifikuar me rezultat të përgjithshëm 3-1. Një ndër lojtarët kyç të Xabi Alonsos këtë edicion dhe më meritorët për suksesin e “Aspirinave” në Bundesliga është padyshim mesfushori shqiptar Granit Xhaka. Në një intervistë për mediumin anglez “TNT Sports”, Xhaka foli për ndeshjen ndaj West Hamit, titullin e fituar të Bundesligës si dhe objektivat e tjerë të klubit deri në fund të sezonit.

“E kemi ndjerë atmosferën në pjesën e dytë. Tifozët po e shtynin West Hamin para. Ishim me fat në pjesën e parë, por portieri bëri disa pritje. Në pjesën e dytë patëm fytyrë tjetër. E kontrolluam ndeshjen dhe kjo është forca jonë. Në përgjithësi, jemi të lumtur që avancuam tutje”, ka thënë Xhaka. “Është e pabesueshme, pas shtatë vitesh në Gjermani, të fitosh trofeun e parë, titullin e parë në histori të Leverkusenit është e pabesueshme. Por ne duam më shumë. Kjo skuadër dëshiron të fitojë çdo gjë. Jemi në gjysmëfinale, dhe nëse vjen deri këtu, dëshiron të fitosh”. Ai tutje ka deklaruar se deri tek ky sukses ka ardhur për shkak të mentalitetit dhe karakterit që ka shfaqur ekipi. “Kemi shënuar 30 gola pas minutës së 80-të dhe kjo është e pabesueshme për shkak të cilësisë, por edhe për shkak të mentalitetit. Besojmë deri në fund. Kjo skuadër ka karakter tjetër, tjetër mentalitet. Këtë e kemi shfaqur çdo tre ditë, edhe në Bundesligë edhe në Evropë. Jemi krenar që jemi pjesë e kësaj skuadre”, u shpreh ai.

Në fund Xhaka foli edhe për Romën, që do të jetë kundërshtari i Leverkusenit në rrugën për të siguruar finalen që do të mbahet në Dublin. “Roma është skuadër e Ligës së Kampionëve, sipas opinionit tim. Me De Rossin, trajnerin e ri, po bëjnë shumë mirë. Ndeshjen e parë e luajmë mysafir. Do të mundohemi të marrim diçka atje, e më pas të provojmë t’i dhurojmë tifozëve finalen në Dublin”, ka përfunduar 31-vjeçari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në fundjavë fillojnë ndeshjet gjysmëfinale të “play-off”-it në Prince Caffe…