Xhaka thotë se Avdullahu dhe Hajdari nuk kishin vend te Zvicra, flet edhe për ‘finalen’ e mundshme në Prishtinë
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka folur hapur për zgjedhjet e fundit të Leon Avdullahut dhe Albian Hajdarit, dy futbollistë që vendosën të largohen nga Zvicra për ta përfaqësuar Kosovën.
Në një intervistë për mediumin zviceran “Blick”, Xhaka tha se dyshja nuk kanë pasur durim për të pritur Zvicrën.
Tutje mesfushori kosovar me pasaportë zvicerane tha se Leon Avdullahu nuk është më i mirë se Ardon Jashari.
“Lojtarët me cilësinë e tyre nuk janë diçka që do të doje t’i humbje. Por, duke parë nivelin aktual të ekipit tonë, nuk mendoj se do të kishin siguruar një vend titullari brenda tre apo katër vitesh. Ardon Jashari është me ne prej tre vitesh dhe ka vetëm katër paraqitje”.
“A është Leon më i mirë se Ardon Jashari? Nuk mendoj kështu. Megjithatë, ai është një djalë i mirë, luan rregullisht te Hoffenheim, por ndoshta i mungoi pak durimi”, tha Xhaka.
Ai shtoi gjithashtu: “Vendimi i tyre për t’iu bashkuar Kosovës është i respektueshëm, pasi përfaqësuesja e tyre tashmë është në një nivel shumë të lartë”, tha Xhaka.
Sa i përket mundësisë që Zvicra të përballet me Kosovën në një ‘finale’ të mundshme në Prishtinë, Xhaka tha se duhet të bëjnë punën mirë ndaj Suedisë që ta shmangin këtë.
“Nëse e bëjmë punën tonë kundër Suedisë, ndoshta nuk do të vijë deri aty. Por nëse ndodh, do ta pranojmë situatën. Nuk është hera e parë që luajmë atje”, përfundoi Xhaka.




