
Xhavit Haliti publikon dokumentin e DASh-it, Rugova në ShBA nuk fliste mirë për UÇK-në
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Xhavit Haliti, ka nxitur reagime pas një interviste ku ka akuzuar se Ibrahim Rugova, Veton Surroi e Fehmi Agani kishin folur keq për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Delegacioni i Kosovës në Amerikë i cili ka propaganduar shumë kundër UÇK-së, kundër e Shqipërisë e Nanos. Ky delegacion është përbërë nga Rugova, Surroi, Fehmi Agani. Ne e kemi marrë procesverbalin e takimit në të cilin e kanë akuzuar Fatos Nanon si ekstremist që po financon ekstremistët e Kosovës”, ka thënë Haliti të martën në “Frontal” të “T7”.
Pas kësaj deklarate, në drejtim të Halitit ka ardhur një reagim nga Veton Surroi, i cili në “Facebook”, ka shkruar se delegacioni që ka takuar Ish-presidentin Bill Clintonin e ka mbrojtur kauzën e Kosovës.
“Delegacioni që ka takuar Clintonin ka mbrojtur kauzën e Kosovës, duke kërkuar mbrojtje vendimtare amerikane për vendin ,nuk është marrë me përgojime as atëherë e as ndonjë herë tjetër”, ka shkruar Surroi.
Ndonëse Haliti ka folur për një takim me Clintonin, ai sot ka shpërndarë një procesverbal të bisedës së Ibrahim Rugovës me ushtruesin e detyrës së Sekretarit, Strobe Talbott, kur Ibrahim Rugova flet për UÇK-së.
Në këtë procesverbal, Rugova citohet t’i ketë përshkruar luftëtarët e UÇK-së si “shumë grupe të frustruara”, veprimet e të cilëve “regjimi i Millosheviqit po i shfrytëzon për të bërë masakra”.
Në këtë procesverbal të bisedës së zhvilluar në vitin 1998, Ibrahim Rugova kishte kërkuar ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndalur një katastrofë të përgjithshme në Kosovë.
“Një vend të kundërpërgjigjes ndaj disa reaguesve: ja kabllogrami nga takimi i delegacionit të Kosovës, udhëhequr nga Ibrahim Rugova, me presidentin e ShBA-ve, Bill Clinton”, ka shkruar Haliti në mbishkrimin e procesverbaleve të publikuara në “Facebook”.
Haliti e ka përmendur gabimisht edhe Mahmut Bakallin si pjesë të delegacionit, ndërsa në reagim e korrigjuar këtë.