Yamal dhe Williams të gatshëm për ndeshjen e parë

12 qershor 2026 | 11:32

Spanja ka marrë një lajm shumë të mirë vetëm pak ditë para ndeshjes së tyre të parë në Kupën e Botës 2026, pasi Lamine Yamal dhe Nico Williams janë rikthyer në stërvitje të plotë me skuadrën.

Dy sulmuesit ishin në dyshim për përballjen e parë të Grupit H ndaj Kepit të Gjelbër, por prania e tyre në seancën stërvitore të së enjtes në Chattanooga, Tennessee, ka rritur ndjeshëm optimizmin në kampin spanjoll.

Lajmi përbën një lehtësim të madh për trajnerin Luis de la Fuente, i cili kishte ndjekur me kujdes procesin e rikuperimit të dy futbollistëve më të rrezikshëm në repartin sulmues.

Yamal, Nico Williams dhe Victor Munoz munguan në ndeshjen e fundit miqësore ndaj Perusë për shkak të problemeve fizike.

Shqetësimi më i madh ishte për Yamalin, pasi talenti i Barcelonës nuk ka zhvilluar një ndeshje zyrtare që nga 22 prilli për shkak të një dëmtimi në kofshën e majtë.

18-vjeçari konsiderohet një nga armët kryesore të Spanjës dhe mungesa e tij kishte ngritur frikën se mund të humbiste të paktën ndeshjet e para të turneut.

Me Yamalin dhe Williamsin sërish në dispozicion, Spanja tashmë mund të fokusohet plotësisht te përgatitjet taktike për ndeshjen e parë të Kupës së Botës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanadaja do ta nisë fushatën e saj në Kupën e…