
“Ylli i Javës” për futbollistin e SC Gjilanit, Robert Rrahmani
Federata e Futbollit të Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, që i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në elitën e futbollit kosovar.
Për javën e pestë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të SC Gjilanit, Robert Rrahmani, i cili, përveç paraqitjes fantastike, ishte edhe shënuesi i golit të vetëm në ndeshje, me të cilin skuadra gjilanase fitoi 3 pikë të rëndësishme (0:1).
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i përbërë nga Blerim Haxholli, Isuf Llumnica dhe Denis Isaja.
Pasi mori këtë çmim, Rrahmani u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës: “Për ndeshjen kundër Ferizajt jemi përgatitur shumë mirë dhe qëllimi ynë ka qenë vetëm fitorja dhe marrja e 3 pikëve. Nuk kemi pasur si synim as lojën e bukur, as të dalim nga detyrat tona. Trajneri na e ka bërë të qartë që duhet të luftojmë vetëm për tri pikë. Për Gjilanin, angazhimi dhe shpërblimi janë trofetë gjithsesi, sepse kemi një fond shumë të mirë lojtarësh dhe konkurrenca është e madhe dhe e shëndoshë. Nuk kemi më hapësirë për gabime. E falënderoj FFK-në për çmimin e dhënë dhe këtë çmim ia dedikoj bashkëlojtarëve për angazhimin dhe mundin e treguar, sepse edhe ata janë pjesë e këtij çmimi”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.