
Ylli i PSG-së: Jam më i mirë se Yamali
Desire Doue, sulmuesi i ri i Paris Saint-Germain, ka ndezur debatet në rrjetet sociale pas një deklarate të guximshme ku u shpreh se është më i mirë se supertalenti i Barcelonës, Lamine Yamal.
19-vjeçari francez u transferua te PSG në verën e vitit 2024 nga Rennes dhe pati një sezon debutues të shkëlqyer, duke u bërë një nga pikat kyçe në skuadrën që siguroi një tripletë historike. Me 16 gola dhe 16 asiste në 61 ndeshje, Doue tregoi menjëherë peshën e tij në ekipin e kampionëve të Francës.
Në një video që po qarkullon gjerësisht në rrjet, sulmuesi u pyet se kush është më i mirë mes tij dhe Lamine Yamal, yllit 17-vjeçar të Barcelonës. Përgjigjja e tij, e dhënë me një buzëqeshje dhe vetëbesim, ishte e thjeshtë: “Unë.”
Një deklaratë që nuk ka kaluar pa u komentuar, veçanërisht duke pasur parasysh përformancat mbresëlënëse të të dy lojtarëve. Ndërkohë që Yamal është konsideruar si një nga talentet më premtuese në botë, Doue po tregon se është gati të konkurrojë me më të mirët në nivel elitar.