Ylli i “Squid Game” lirohet nga akuzat për sulm

12 nëntor 2025 | 13:56

Aktori i Koresë së Jugut, Oh Yeong-su, i njohur më së miri për rolin e tij në serialin e njohur të Netflix-it “Squid Game”, është liruar nga akuzat për sulm seksual pasi një gjykatë më e lartë rrëzoi dënimin e tij të mëparshëm.

Aktori 81-vjeçar u shpall fajtor në vitin 2024 për sulm ndaj një gruaje në vitin 2017 dhe u dënua me tetë muaj burg, me kusht, por gjykata e Suwon tani e ka rrëzuar atë vendim, raporton BBC.

Gjykata deklaroi se ekzistonte mundësia që kujtesa e viktimës së supozuar të ishte “shtrembëruar” për shkak të hendekut kohor midis ngjarjes dhe dëshmisë.

Arsyetimi i vendimit theksoi se kishte dyshime se O e kishte kryer sulmin në radhë të parë, dhe si rrethanë lehtësuese, ata përmendën gjithashtu faktin se aktori kishte ndjekur trajnim mbi parandalimin e dhunës.

Viktima e supozuar reagoi ashpër ndaj vendimit të gjykatës, duke thënë se vendimi “nuk do ta anulojë të vërtetën dhe as nuk do ta fshijë dhimbjen që ajo pësoi”.

“Pavarësisht vendimit të sotëm, unë do të vazhdoj të them të vërtetën deri në fund”, tha ajo në një deklaratë të lëshuar nga organizata për të drejtat e grave Womenlink.

Nga e njëjta organizatë, ata kritikuan vendimin e gjykatës, duke theksuar se janë “të indinjuar nga vendimi, i cili fsheh edhe një herë dhunën në botën e teatrit”.

O Yeong-su u akuzua në vitin 2022 se gjatë qëndrimit të tij në një zonë rurale në vitin 2017, ndërsa punonte për një shfaqje teatrale, ai përqafoi dhe puthi një grua në faqe pa pëlqimin e saj.

Gruaja e denoncoi atë për herë të parë në vitin 2021, por çështja u mbyll atëherë. Hetimi u rihap me kërkesën e saj.

Pasi dëgjoi lirimin nga akuzat, aktori tha se ndiente “mirënjohje ndaj gjykatës për vendimin e saj të mençur”.

Ende nuk dihet nëse prokuroria do ta apelojë këtë vendim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas dështimit të formimit të qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje (LV) ndryshoi…