Ylli synon titull, Peja nuk dorëzohet

11 maj 2021 | 10:31

Sonte (e martë) do të zhvillohet përballja e tretë e finaleve të “play-off”-it në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll ndërmjet Pejës dhe Golden Eagle Yllit.

“Nuk po them që ka përfunduar, por rezultati 2-0 është rezultat i mirë. Nëse gjuajmë më shumë, do të shënojmë më shumë pikë, por në finale ndodhin këto gjëra dhe jemi të lodhur paksa nga ritmi dhe dinamika e madhe, por jemi të kënaqur. Dua ta shfrytëzoj rastin t’i dëshiroj shërim sa më të shpejtë lojtarit Dendy, por edhe Leo Mekaj. Tani do të rikthehet edhe AJ Walton dhe ata do të jenë më të rrezikshëm me treshe, por ne do të përgatitemi, për festë nuk kemi kohë dhe shkojmë në Pejë për fitore”, ka thënë basketbollisti i Yllit, Erion Kastrati.

Skuadra nga Theranda ka fituar dy ndeshjet e para dhe i mungon edhe një fitore për t’u shpallur kampion, që do të ishte i pari në histori të klubit.

Ndërkohë, pejanët hynë për fitore për ta ngushtuar serinë në 1:2, ku do të rikthehet edhe AJ Walton, i cili ishte i suspenduar. Ndeshjen e parë e fitoi Ylli në Pejë 75:83, kurse sfidën e dytë e fitoi në shtëpi 75:73, me një fund dramatik. Për Yllin do të ishte titulli i parë në histori, derisa pejanët kërkojnë titullin e gjashtë. Skuadra nga Theranda këtë edicion fitoi Ligën Unike, duke mundur në finale pikërisht Pejën dhe po e kërkon trofeun e dytë në këtë edicion. Peja në çerekfinale kishte mundur Sigal Prishtinën 2:1, derisa në gjysmëfinale u përballë me Ponte Prizrenin, ku kaloi në finale me serinë 3:2, pasi takimi i fundit ishte ndërprerë pas pjesës së parë dhe u takoi pejanëve me rezultat zyrtar 20:0.

Golden Eagle Ylli në çerekfinale eliminoi Bashkimin 2:1, edhe pse humbi sfidën e parë, ndërsa në gjysmëfinale pas pesë sfidave shumë interesante eliminoi Rahovecin 3:2. Ndeshja Peja – Golden Eagle Ylli zhvillohet të martën nga ora 20:15 në ‘Karagaqi’ dhe transmetohet në “ArtMotion” dhe “Kujtesa”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Berat Armagedoni Edhe sot baba gjashtëdhjetë e katër vjeç doli…