Ymeri për LDK-në: Nëse mendojnë që mund të ecin përpara me Abdixhikun, le të vazhdojnë
Analisti Visar Ymeri ka dënuar gjuhën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, kundrejt mediave, opinionistëve, analistëve dhe gazetarëve.
“Kjo gjuhë është përngjasim i një tendence të ndarjes së shoqërisë në mes të ‘NE’ dhe ‘ATYRE’, që është, si me thënë kështu, fenomeni ose mekanizmi bazë që e përdor popullizmi gjithandej, edhe në Kosovë”.
“Mendoj që kjo nuk i shkon një partie demokratike që synon një shoqëri liberale. Jo secili njeri që nuk pajtohet me ty është i shtirë nga dikush ose i paguar nga dikush. Mendoj që kushdo që e aplikon këtë lloj të menduarit ndaj kujtdo tjetër, veç pse nuk pajtohesh me të, me thënë ky është i shtirë ose e ka paguar dikush, është gabim në hapa, përveçse nëse ke fakte për një gjë të tillë, pastaj i zbulon edhe faktet…”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nëse LDK mendon që Lumir Abdixhiku është kryetari i tyre më i mirë apo dikush tjetër, ai është vendim i tyre.
“Le të zgjedhin kë të dojnë, tek e fundit mua s’mundet me mu dhimt partia e tyre se sa atyre. Nëse ata mendojnë që mujnë me ec përpara me Lumir Abdixhikun, le të vazhdojnë me Lumir Abdixhikun…”, ka thënë Ymeri.



