Ymeri: PSD-ja, ‘zëri politik’ i interesave të punëtorëve

06 shkurt 2019 | 16:09

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD),Visar Ymeri, ka folur të mërkurën rreth kërkesës së dorëzuar për interpelancë ndaj kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në të cilën do të diskutohet për pagën minimale në Kosovës.

Ymeri ka thënë se niveli i pagës minimale është ndër treguesit kryesorë për mirëqenien e një vendi dhe se kjo pagë nuk përmbush nevojat bazike për jetë, ndërsa sipas tij i lë punëtorët në “pragun e varfërisë”.

“PSD-ja angazhohet për një pagë minimale që i garanton secilit përmbushjen e nevojave bazike për jetë. Niveli aktual prej 130 (për të punësuarit deri në 35 vjeç), respektivisht 170 eurosh, është larg prej arritjes së këtij synimi”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka theksuar se do të bashkëpunojnë edhe me sindikatat e punëtorëve në mënyrë që t’i plotësojnë kërkesat e tyre dhe si rrjedhojë sipas tij PSD-ja do të mundohet t’i përkrahë kërkesat dhe interesat e punëtorëve.

“Paga minimale është pragu nën të cilën nuk mund të paguhet askush. Niveli i saj është ndër treguesit kryesorë për mirëqenien e një vendi. Aty ku paga minimale është e ulët, niveli i shfrytëzimit të punëtorëve është i lartë”, ka thënë Ymeri.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përshëndetur nënshkrimin e protokollit…