
Zafir Berisha ndahet nga Nisma – rikthen “Bashkimin Demokratik” në Prizren
Ish-komandanti i shquar i UÇK-së dhe njëherësh ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha, është ndarë zyrtarisht nga Nisma Socialdemokrate, parti e udhëhequr nga Fatmir Limaj. Këtë vendim Berisha e ka bërë të ditur përmes një njoftimi publik, duke paralajmëruar rikthimin e subjektit politik “Bashkimi Demokratik” në qytetin e Prizrenit.
Sipas burimeve të afërta me zhvillimet brenda Nismës, arsyeja kryesore e largimit të Berishës duket të jetë mospajtimi i tij me afrimin e liderit të Nismës, Fatmir Limaj, me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit. Kjo lëvizje politike është parë nga Berisha si e papranueshme, duke marrë parasysh qëndrimet e tij të mëhershme kundër bashkëpunimit me VV-në.
Në njoftimin e tij publik, Zafir Berisha shkruan:
“Të nderuar miq,
Nga sot, aktivitetin tim politik së bashku me bashkëpunëtorë do ta rikthej në BASHKIMIN DEMOKRATIK në Prizren, ndërsa Nisma-s i dëshiroj suksese! Zafa”
Kjo lëvizje pritet të ndikojë në skenën politike të nivelit lokal në Prizren, ku Berisha ka një bazë të konsiderueshme mbështetjeje. Me rikthimin e “Bashkimit Demokratik”, ai synon të jetë një faktor i pavarur dhe kritik në raport me zhvillimet politike aktuale në vend.