“Zajednica”, më e rrezikshme se Covid-19

16 shtator 2020 | 08:37

Anëtari i kryesisë i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka folur për idenë që e pati shpalosur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në vitin 2017, e që kishte të bënte me shkëmbimin e territoreve. Konjufca tha se lidhur me këtë temë ka pasur një plan.

Ish-ministri i Jashtëm theksoi se pas dështimit të këtij plani, kreu i shtetit ka aktivizuar një ide tjetër atë të Zajednicës. “Kur z. Thaçi për herë të parë në konferencën e Albachut kur e ka bërë publik çështjen e shkëmbimit territorial, Vetëvendosja ka reaguar fuqishëm edhe e ka parë aty një plan. Këto nuk kanë qenë fjalë goje, këto kanë qenë pjesë e negociatave”, ka thënë Konjufca në Klan Kosova.

“Pra kjo nuk është një dëshirë e zotëri Thaçit. Ky ka qenë projekt politik për të cilën është investuar edhe ka burime tashmë të bollshme që ka qenë pjesë e diskutimit me të tjerët. Tash kur jemi në këtë dimension, dhe e pranojmë këtë premisë për të cilën Vetëvendosja ka reaguar fuqishëm, jo vetëm Vetëvendosja por edhe Lidhja Demokratike, bile edhe PDK-ja edhe pse Thaçi e ka shpjeguar këtë ide së paku zotëri Kadri Veseli ka dalë edhe e ka kundërshtuar.

Pra krejt spektri dominant politik i tri partive politike e pat pritur me shqetësim që nga viti 2017 dhe po reziston që tre vjet. Dhe tash kur kjo ide ka ra në ujë tash kemi hapjen e ideve të reja. Tash kemi një Zaednicë. Dhe unë jam i shqetësuar se z. Hoti para disa ditëve në një emision televiziv ka deklaruar se do ta bëjmë Zaednicën sikur në vitin 2015”, ka thënë Konjufca.

Konjufca shtoi se rreziku i Zajednicës shkon përtej rrezikut nga pandemia Covid-19.

“Kjo meriton jo vetëm një kritikë të ashpër por këtu është kufiri i durimit i popullit të Kosovës. Kjo është përtej rrezikut të Covidit. Përderisa deri tash populli i Kosovës ka qenë i qetë edhe Vetëvendosja ka qenë e qetë për hatër të pandemisë. Edhe ashtu kjo qeveri ka qenë katastrofike në luftimin e pandemisë”, ka thënë Konjufca.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vetëm dje në Kosovë janë shqiptuar 880 gjoba ndaj atyre…