Zanetti: Finalja me PSG-në është 50 me 50, Inzaghi lider absolut, Lautaro meriton ‘Topin e Artë’ 

08 maj 2025 | 13:09

Legjendë dhe aktualisht nënkryetari i Interit, Javier Zanetti ëndërron një kalim simbolik të stafetës: nga kapiteni i dikurshëm te kapiteni aktual, nga një argjentinas te një tjetër, nga duart e tij tek ato të Lautaro Martinezit, me trofeun e Ligës së Kampionëve në mes.

Pas fitores së vështirë ndaj Barcelonës në gjysmëfinale, Zanetti foli për “Radio La Red”, duke komentuar finalen e 31 majit kundër Paris Saint-Germain në Mynih.

“Jam krenar për paraqitjen e Interit”, u shpreh Zanetti. “Ndaj Barcelonës, si në vajtje ashtu edhe në kthim, skuadra tregoi përkushtim dhe kaloi me sukses momente të vështira. U përballën dy ekipe me stile të qarta dhe mënyra të ndryshme loje. Finalja ndaj PSG-së? Është një ndeshje 50 me 50. Ata gjithashtu e merituan finalen. Është një përballje teke dhe duhet ta luajmë me vendosmëri, duke shpresuar të mbajmë nivelin që treguam në gjysmëfinale”.

Zanetti nuk kurseu lavdërimet për trajnerin Simone Inzaghi, arkitektin e këtij suksesi: “Ai është lideri absolut i kësaj skuadre. Është me ne prej katër vitesh dhe i ka bërë të gjithë shumë konkurrues. Me të kemi arritur dy finale të Ligës së Kampionëve brenda tri vitesh”.

Por në qendër të lavdërimeve ishte edhe kapiteni Lautaro Martinez: “Shpresoja që një ditë do bëhej lojtari që është sot. Kundër Barcelonës dha gjithçka deri sa u zëvendësua. Ai është thelbësor si për Interin ashtu edhe për Kombëtaren. Jep gjithmonë maksimumin. Nuk ka asnjë dyshim që ka potencialin për të fituar ‘Topin e Artë’. Këtu ndihet i lumtur, i vlerësuar dhe i rëndësishëm. Ka një ndjenjë të fortë përkatësie dhe kur ndihesh mirë aty ku je, kjo të ndihmon të shkëlqesh”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Gjyqësorë i Kosovës (KGJK) në takimin 346-të, të enjten,…