
Zanetti, PSG-së: I kemi shënuar 7 gola Barcelonës
Zëvendëspresidenti i Interit, Javier Zanetti, ka vlerësuar punën e trajnerit Simone Inzaghi, duke e cilësuar rrugëtimin e zikaltërve në Champions League si shumë pozitiv. Në një intervistë për ESPN, legjenda argjentinase ka folur për sfidat që ka përballuar skuadra dhe për rëndësinë e arritjes në finale.
“Faza e grupeve shkoi mirë. Humbëm vetëm një ndeshje, atë ndaj Bayer Leverkusen në minutën e fundit. Pastaj përballja në çerekfinale me Bayernin, një ekip me histori të gjatë në këtë kompeticion, dhe më pas Barcelona, një skuadër me identitet të fortë dhe shumë lojtarë të rinj”, u shpreh Zanetti.
Ai theksoi forcën sulmuese të Interit, veçanërisht ndaj katalanasve: “Shënuam 7 gola kundër Barcelonës, kjo tregon se kur Interi sulmon, e bën me efikasitet të madh”.
Për finalen ndaj Paris Saint-Germain, Zanetti ka vetëm fjalë respekti: “Jemi me Inzaghin prej katër vitesh dhe jemi të kënaqur me punën e tij. Interi është gjithmonë pretendent, është një klub që respektohet në Europë. E rëndësishme është që arritëm në finale. PSG është një skuadër e fortë. Kam shumë admirim për Luis Enriquen, i cili u ka dhënë një identitet të qartë dhe të fortë. Prandaj janë aty ku janë sot.”