Zbardhet vrasja e gjyqtarit| 30 vjeçari shkrehu armën, roli i xhaxhait dhe punonjësit të sigurisë

08 tetor 2025 | 20:06

Prokuroria e Tiranës ka dalë me njoftim zyrtar e në detaje sa i takon vrasjes së bujshme të gjyqtarit Astrit Kalaja, më 6 tetor, në sallën e gjyqit.

Në pranga për aktin e rëndë është autori i vrasjes, Elvis Shkambi, dhe dy persona të tjerë, për “vrasje të funksionarëve publikë”, “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “armëmbajtje pa leje” dhe “shpërdorim detyre”. Këto akuza janë zyrtarizuar tanimë ndaj 30 vjeçarit (autori), Gjon Shkambit (xhaxhai i tij) dhe Banush Koxhajt (punonjës i sigurisë).

Vlen të theksojmë se, seanca ndaj tre të arrestuarve do të mbahet më 9 tetor, në orën 08:00, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Sipas Prokurorisë, në përfundim të seancës në fjalë, rreth orës 15:35 të së hënës, sapo është shpallur vendimi, Shkambi ka nxjerë pistoletën nga brezi dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit Kalaja. Pas këtij veprimi, ai ka drejtuar armën ndaj babë e bir (palë në proces), duke i lënë të plagosur.

Salla nr.3 në Gjykatën e Apelit Tiranë

Menjëherë më pas, autori i ka lënë në dorë pistoletën punonjësit të sigurisë së gjykatës dhe pasi ka dalë në oborr, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë.

Gjyqtari u transportua me ambulancë në Spitalin e Traumës Tiranë, por gjatë rrugës ndërroi jetë.

Nga administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike, rezulton se Ermal Shkambi dhe Gjon Shkambi, kanë hyrë në gjykatë njëri pas tjetrit në orën 13:42 të asaj dite, ndërsa skaneri nuk ka sinjalizuar prezencën e armës.

Punonjësi i sigurisë, ndaj të cilit rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës”, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontroll fizik apo regjistrimin e këtyre personave në librin e protokollit.

Sa i takon Gjon Shkambit, hetuesit thonë se pavarësisht se në dukje ai nuk ka kryer ndonjë veprim konkret, ka qëndruar i qetë kur arma është shkrehur prej nipit të tij, gjë që çon në dyshimet se ka pasur dijeni mbi planet e 30 vjeçarit.

“Gjithashtu krijohet dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka rolin e shtytësit në tentativën për të vrarë palët ndërgjyqëse, dyshim i krijuar jo vetëm nga rrethanat e lartpërmendura, por duke marrë parasysh edhe një sërë veprimesh të kryera nga shtetasi Gj.Sh., gjatë periudhës që i paraprin krimit, sikurse janë kërcënimet publike për vrasje të palëve të bëra në emisione televizive, si dhe një numër i madh ngjarjesh të kallëzuara nga viktimat për kanosjet me jetë që u janë bërë nga shtetasi Gj. Sh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Të tre këta shtetas janë arrestuar në flagrancë si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale të lartpërmendura dhe për ta është paraqitur pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkesa për vleftësimin e arrestimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal arrest në burg”, përfundon Prokuroria e Tiranës.

Gjykata e Apelit ka njoftuar se deri më 10 tetor 2025 do të pezullojë zhvillimin e seancave gjyqësore, me përjashtim të atyre me karakter urgjent, ndërsa prokurorë e magjistratë kanë kërkuar mbledhje të veçantë ku do të diskutohet për sigurinë e figurave të drejtësisë në Shqipëri.

Sot, 8 tetor, u zhvilluan homazhet zyrtare në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja, te Pallati i Kongreseve. Ai do të prehet në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Milazim Vitija, kërkon…