Zbulimi i Kiro Gligorovit: Ky ishte plani i BE-së i viteve të ‘90-ta për Jugosllavinë

07 janar 2026 | 10:59

Zbulimi i Gligorovit: BE kishte plan për ta futur Jugosllavinë menjëherë në Union dhe për të shmangur luftërat – u refuzua nga Millosheviqi

Ish-presidenti i Maqedonisë, Kiro Gligorov, në një intervistë në vitin 2007 kishte zbuluar i ndjeri detaje të rëndësishme për një plan të Bashkimit Evropian, i cili – sipas tij – do të kishte parandaluar luftërat shkatërruese të viteve ’90 në ish-Jugosllavi, por që dështoi për shkak të refuzimit të Sllobodan Millosheviqit.

Në një dëshmi publike, Gligorovi thekson se BE-ja ka kritere që bazohen jo vetëm në vlerësime politike, por edhe në parime dhe standarde që shtetet duhet t’i plotësojnë, por se në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë ishte ofruar një zgjidhje politike historike,përcjell agjencia e lajmeve INA.

Sipas tij, pak para shpërbërjes së Jugosllavisë, në përpjekjet e fundit për të shmangur luftërat dhe konfliktet e armatosura mes republikave, në rajon kishte ardhur e ashtuquajtura “treshe evropiane”, e përbërë nga:
• Jacques Delors, kryetar i Komisionit Evropian,
• Hans van den Broek, përfaqësues i Holandës,
• dhe përfaqësuesi i Luksemburgut, që në atë kohë mbante kryesimin e BE-së. Ata, sipas Gligorovit, i kishin mbledhur të gjithë përfaqësuesit e republikave jugosllave dhe Delors kishte prezantuar një plan me dhjetë pika, që synonte shmangien e luftës.

Pika e parë e planit, sipas tij, ishte që me një vendim politik, Jugosllavia të bëhej menjëherë pjesë e Bashkimit Evropian.
Pika e dytë parashihte që, për të garantuar suksesin e reformave të kryeministrit federal Ante Markoviq, BE-ja do të ndante 5 miliardë euro nga buxheti i saj.
Më pas, plani parashihte që republikat, përmes referendumesh, të shpallnin pavarësinë, në mënyrë paqësore dhe të koordinuar, duke vazhduar me pika të tjera reformuese.

Sipas Gligorovit, ky plan nuk u realizua, pasi u refuzua nga Sllobodan Millosheviqi, çka më pas çoi në luftërat e përgjakshme në rajon dhe në shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë.

Kjo dëshmi e ish-presidentit maqedonas hedh dritë mbi një moment kyç të historisë evropiane, duke ngritur pyetjen se si do të dukej sot Ballkani, po të ishte pranuar plani i Bashkimit Evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bedri Halimi Lexuesi duhet t’i kthehet poezisë, por që të…