
Zbulohet gjyqtari që do të vendosë drejtësi në ndeshjen Serbi-Shqipëri
UEFA ka zyrtarizuar emrin e arbitrit që do të gjykojë ndeshjen delikate Serbi–Shqipëri, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026 dhe që do të zhvillohet në stadiumin e ri të Leskovcit.
“Top Channel” mëson se bëhet fjalë për Istvan Kovacs, arbitrin rumun të klasit “Elite” të UEFA-s, një nga gjyqtarët më me përvojë dhe më të besuar të futbollit evropian.
Emërimi i Kovacs nga Komisioni i Arbitrave të UEFA-s shihet si një sinjal i qartë për seriozitetin me të cilin trajtohet kjo ndeshje, që mban mbi vete ngarkesë të madhe sportive, emocionale dhe politike.
Takimi mes Serbisë dhe Shqipërisë rikthehet në qendër të vëmendjes pas 11 vitesh nga ngjarjet e Beogradit në vitin 2014, duke bërë që çdo detaj, përfshirë edhe arbitrin, të ketë rëndësi të veçantë.