
Zbulohet gurthyes ilegal në Suharekë – pronari dyshohet për minime të paligjshme
Një gurthyes që po vepronte jashtë çdo kuadri ligjor në fshatin Samadrexhë të Suharekës, është vënë nën hetim pas dyshimeve të ngritura nga autoritetet për minime të paligjshme dhe degradim të ambientit.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 06 gusht 2025, rreth orës 12:00, Komisioni për Siguri Publike (KSP) dhe Komisioni për Miniera dhe Minerale (KMM), në bashkëpunim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, kanë ndërmarrë një kontroll të befasishëm në gurthyesin “Voci-1”, në pronësi të Xhemajl Vocit.
Gjatë kontrollit, janë gjetur prova të qarta që dëshmojnë për minime ilegale në terren, konkretisht: dy detonatorë elektrikë, që shërbejnë për shpërthime në gurthyes, dhe veprime që konsiderohen si shkatërrim dhe degradim i ambientit.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar të iniciohen hetime për tre vepra penale: “Degradim dhe shkatërrim i ambientit”, “Mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve”, dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Me vendim të prokurorit janë sekuestruar si dëshmi materiale: një mjet i rëndë i tipit “bager”, pronë e kompanisë “Voci-1”, si dhe dy detonatorët elektrikë.
Përmes raportit për gjetje të mjeteve të dyshuara të pashpërthyera, është bërë kërkesë për sekuestrimin zyrtar të mjeteve të rrezikshme nëpërmjet GC-së (njësisë për mjetet e rrezikshme).
Hetimet janë në zhvillim dhe priten masa të mëtejme ligjore ndaj të dyshuarit dhe aktivitetit të tij ilegal.