Zbulohet mall i padeklaruar në Vërmicë, vlera mbi 2 mijë euro
Dogana e Kosovës ka zbuluar një sasi malli të padeklaruar gjatë procedurave të zhdoganimit në Zyrën e Brendshme Doganore në Vërmicë.
Dogana përmes një postimi në “Facebok”, ka treguar se mallrat ishin paraqitur për zhdoganim nga importuesi, por për shkak të analizës së riskut, ngarkesa është përzgjedhur për kontroll të detajuar nga zyrtarët doganorë.
“Gjatë verifikimit dhe krahasimit të dokumentacionit me gjendjen faktike të mallit, zyrtarët konstatuan praninë e një sasie të padeklaruar të radarëve për sisteme kundër vjedhjes. Bazuar në të dhëna nga zhdoganime të mëparshme për mallra të ngjashme, vlera e përafërt e mallit të padeklaruar vlerësohet rreth 2,050 euro”, ka njoftuar Dogana e Kosovës,
Dogana ka theksuar se mosdeklarimi i mallit përbën kundërvajtje doganore sipas Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, pasi synon shmangien ose uljen e detyrimeve të importit të parashikuara me ligj.



