Zbulohet marrëveshja ShBA – Iran
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani pritet të nënshkruajnë të premten, më 19 qershor, në Zvicër një memorandum mirëkuptimi që synon t’i japë fund konfliktit mes palëve dhe të hapë rrugën për negociata intensive mbi programin bërthamor iranian.
Dokumenti, i përbërë nga 14 pika dhe i siguruar nga Bloomberg, parashikon një armëpushim të përhershëm, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, heqjen graduale të sanksioneve dhe një paketë të madhe mbështetjeje ekonomike për Teheranin.
Sipas draftit, me nënshkrimin e memorandumit, Republika Islamike e Iranit dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët e tyre, do të deklarojnë ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të luftës në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin. Të dyja palët angazhohen të mos ndërmarrin veprime armiqësore në të ardhmen, të mos përdorin forcën kundër njëra-tjetrës dhe të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të secilit shtet.
Dokumenti parashikon që negociatat për marrëveshjen përfundimtare të përfundojnë brenda 60 ditëve, me mundësinë e zgjatjes vetëm nëse të dyja palët bien dakord.
Një nga elementët më të rëndësishëm të memorandumit është rihapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme energjetike në botë. Shtetet e Bashkuara zotohen të heqin menjëherë bllokadën detare dhe të rikthejnë trafikun normal të anijeve brenda 30 ditëve. Gjithashtu, Uashingtoni angazhohet të tërheqë forcat ushtarake nga zonat përreth brenda 30 ditëve pas nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare.



