
Zbuluohen kërkesat e Fabregasit ndaj Interit
Cesc Fabregas, trajneri i Comos, ka paraqitur kërkesat e tij ndaj Interit për një kontratë trevjeçare, me opsion për një sezon shtesë, dhe garanci për nënshkrime të reja gjatë afatit kalimtar të verës.
Fabregas mbetet objektivi kryesor i Interit për të zëvendësuar Simone Inzaghin, i cili tashmë është zyrtarizuar te Al-Hilal.
Megjithatë, largimi i Fabregasit nga Como duket i vështirë. Si ai, ashtu edhe presidenti i klubit italian, Mirwan Suwarso, kanë shprehur angazhimin e tyre për projektin afatgjatë të Comos.
Nëse Interi nuk arrin të bindë Comon dhe Fabregasin, opsionet alternative janë Patrick Vieira dhe Christian Chivu, por ata mbeten shumë prapa në listën e preferencave të drejtuesve zikaltër.
Drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio, udhëtoi në Londër të mërkurën për të diskutuar me Fabregasin dhe drejtuesit e Comos.
Vendimi përfundimtar pritet të merret brenda orëve të ardhshme.