
Zëdhënësi i qeverisë thotë se Kurti për rastin e Klinakut dha deklaratë për policinë nga kryeministria
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryezi, ka reaguar ndaj raportimeve në medie për intervistimin e kryeministrit Albin Kurti nga Policia e Kosovës, për rastin e me Faton Klinakun e OVLUÇK-së.
Sipas Kryeziut, s’është e vërtetë që Kurti ka shkuar në Polici për të dhënë deklaratë, por se një procedurë të tillë e ka kryer nga kryeministri, para zyrtarëve policorë.
“Kryeministri Kurti deklaratën e tij para zyrtarëve policorë e ka dhënë në zyrën e tij, e jo NË polici, siç pretendojnë në tituj dhe shtrembërojnë informacionin portalet”, ka shkruar Kryeziu në “Facebook”.
Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVLUÇK-së, Faton Klinaku, është njëri nga dy të akuzuarit për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit. Aktakuza ndaj tij është ngritur me 01/08/2025.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, i akuzuari Faton Klinaku më 29.08.2023 ka kanosur përmes rrjetit social “Facebook” kryeministrin Kurti, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese.
Më pas, sipas Prokurorisë, pas reagimeve të opinionit publik lidhur me kërcënimin, më 30.08.2023 Klinkau prapë ka përsëritur një postim me përmbajtje kërcënuese, ku ka shkruar “..prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postim i mëhershëm: Më parë e vrasë Albin Kurtin se sa t’ia lëshoj rrugën e të iki nga Kosova”.
Kurti ka refuzuar paraqitjen e tij para Prokurorisë Speciale për rastin e rezervave shtetërore, ku është ftuar për të dëshmuar. Sipas Kurtit, prokurorët duhet t’i shkojnë në kryeminstri për ta intervistuar.