Zeka: 40 për qind e ndërmarrjeve kanë ndërprerë në tërësi aktivitetin e tyre

18 prill 2020 | 19:07

Drejtorin ekzekutivi i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka bërë me dije se sipas një ankete të kryer së fundmi nga pesë asociacione të biznesit, përfshirë këtu edhe Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, rezulton që 40% e ndërmarrjeve të anketuara kanë ndërprerë në tërësi aktivitetin e tyre, derisa pjesa tjetër ka kufizim signifikant të aktivitetit.

“Më pak se 3% e ndërmarrjeve që kanë marrë pjesë në anketë nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim në aktivitetet e tyre. Ky kufizim natyrisht që ndikon në të ardhurat e tyre dhe rrjedhimisht edhe në aftësinë e tyre për të kryer shpenzimet operacionale, përfshirë pagesën e pagave ndaj punonjësve dhe qiratë për hapësirat komerciale. Në këtë situatë, një numër i madh i ndërmarrjeve rrezikojnë mbijetesën e tyre, e me këtë edhe shumë punonjës rrezikojnë të mbesin pa punë”, ka thënë Zeka në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”.

Zeka ka folur edhe për Pakon Emergjente Fiskale të propozuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve.

Ai ka thënë se bizneset dhe organizatat që përfaqësojnë interesat e bizneseve besojnë se pakoja si e tillë nuk është e mjaftueshme, ani pse janë të vetëdijshëm që veprimet konservative të Qeverisë bazohen në kapacitetet e kufizuara buxhetore të shtetit dhe drojën nga rrezikimi i stabilitetit buxhetor.

“Sidoqoftë, ne besojmë fuqishëm që një ndërhyrje më proporcionale e shtetit në këtë fazë do të minimizonte rrezikun e kolapsit masiv të ndërmarrjeve private, dhe mbyllën masive të vend të punës, por në të njëjtën kohë do të ndihmonte në ruajtjen e stabilitetit buxhetor në të ardhmen, meqë sektori privat është burimi kryesor i mbledhjes së të hyrave për thesarin e shtetit”, ka theksuar Zeka.

Intervistoi: Albulena S. MAVRAJ

“Epoka e re”: Z. Zeka si e konsideroni pakon emergjente të Qeverisë së Kosovës dhe a është e mjaftueshme për t’u ballafaquar me situatën e pandemisë Covid-19?
Zeka: Pakoja Emergjente Fiskale e propozuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve dhe e aprovuar nga Qeveria, është përgjigje në nevojat urgjente që bizneset, ndërmarrjet, si dhe punonjësit e goditur kishin për shkak të masave kufizuese të vendosura për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Bizneset dhe organizatat që përfaqësojnë interesat e bizneseve besojnë që pakoja si e tillë nuk është e mjaftueshme, ani pse jemi të vetëdijshëm që veprimet konservative të Qeverisë bazohen në kapacitetet e kufizuara buxhetore të shtetit dhe drojën nga rrezikimi i stabilitetit buxhetor. Sidoqoftë, ne besojmë fuqishëm që një ndërhyrje më proporcionale e shtetit në këtë fazë do të minimizonte rrezikun e kolapsit masiv të ndërmarrjeve private dhe mbylljën masive të vend të punës, por në të njëjtën kohë do të ndihmonte në ruajtjen e stabilitetit buxhetor në të ardhmen, meqë sektori privat është burimi kryesor i mbledhjes së të hyrave për thesarin e shtetit.

“Epoka e re”: Cilat janë sfidat që do ta presin sektorin privat?
Zeka: Masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së pandemisë kanë çuar në mbylljen e shumë ndërmarrjeve duke kufizuar aktivitetin ekonomik në masë të madhe. Sipas një ankete të kryer së fundmi nga pesë asociacione të biznesit, përfshirë këtu edhe Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, rezulton që 40% e ndërmarrjeve të anketuara kanë ndërprerë në tërësi aktivitetin e tyre, derisa pjesa tjetër ka kufizim signifikant të aktivitetit. Më pak se 3% e ndërmarrjeve që kanë marrë pjesë në anketë nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim në aktivitetet e tyre. Ky kufizim natyrisht që ndikon në të ardhurat e tyre dhe rrjedhimisht edhe në aftësinë e tyre për të kryer shpenzimet operacionale, përfshirë pagesën e pagave ndaj punonjësve dhe qiratë për hapësirat komerciale. Në këtë situatë, një numër i madh i ndërmarrjeve rrezikojnë mbijetesën e tyre, e me këtë edhe shumë punonjës rrezikojnë të mbesin pa punë.
Pakoja e institucioneve të Kosovës u jep punëdhënësve një mundësi për regjistrimin e punonjësve të tyre të cilët nuk kanë pasur një marrëveshje pune, pa u përballë me ndonjë penalitet për veprimet e kaluara. Në bazë të informatave që kemi nga Ministria e Financave dhe Transfereve tashmë një numër i madh i kompanive kanë nisur ta bëjnë këtë. Është me rëndësi që në këto rrethana asnjë person që ka një vend pune të mos mbetet pa të ardhura. E në të ardhmen përpjekjet e institucioneve përgjegjëse duhet të jenë më serioze në luftimin e ekonomisë joformale, përfshirë pra edhe informalitetin në punësim.

“Epoka e re”: Kishim një shifër të deklaruar prej më shumë se 100 mijë punëtorësh pa kontrata pune, si duhet të veprojë shteti në këtë rast?
Zeka: Pakoja e institucioneve të Kosovës u jep punëdhënësve një mundësi për regjistrimin e punonjësve të tyre të cilët nuk kanë pasur një marrëveshje pune, pa u përballë me ndonjë penalitet për veprimet e kaluara. Në bazë të informatave që kemi nga Ministria e Financave dhe Transfereve tashmë një numër i madh i kompanive kanë nisur ta bëjnë këtë. Është me rëndësi që në këto rrethana asnjë person që ka një vend pune të mos mbetet pa të ardhura. E në të ardhmen përpjekjet e institucioneve përgjegjëse duhet të jenë më serioze në luftimin e ekonomisë joformale, përfshirë pra edhe informalitetin në punësim.

“Epoka e re”: Shihet shkallë e lartë e infromalitetit, duhet ndëshkuar punëdhënësit e tillë apo mjafton që u identifikua kjo shifër?
Zeka: Unë pajtohem që ekonomia joformale është relativisht e lartë në Kosovë dhe tejkalon shifrat e raportuara nga institucionet përgjegjëse, e punësimi joformal ka një pjesëmarrje të lartë në tërë këtë ekonomi të padeklaruar. Megjithatë, nuk mund të komentoj shifrën të cilës ju po i referoheni meqë e konsideroj si të supozuar. Një relacion joformal i punësimit cenon të ardhmen e këtyre punonjësve meqë i privon nga përfitimet që mund të kenë pas pensionimit të tyre, ashtu siç edhe e tërë ekonomia joformale krijon mjedis të pabarabartë për bizneset që janë të përgjegjshme karshi detyrimeve ligjore, por natyrisht edhe për vetë shtetin i cili rrjedhimisht ka burime më të kufizuara për mbledhje të të hyrave buxhetore. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë vazhdimisht ka bërë thirrje për luftimin e ekonomisë joformale, meqë mes tjerash, konsiderojmë se asnjë investitor seriozë nuk do të investojë në një vend ku aktiviteti ekonomik joformal është i lartë.

“Epoka e re”: FMN-ja ka paraparë që gjatë këtij viti do të tkurret për 5 për qind, sipas jush ku specifikisht mund të rezultojë kjo tkurrje?
Zeka: Struktura e rritjes ekonomike të Kosovës është e paqëndrueshme për shkak se varet në mase të madhe nga dërgesat nga diaspora dhe investimet publike. Tashmë ekziston droja se dërgesat mund të pësojnë rënie edhe për shkak të krizës ekonomike që mund të godasë shtetet në të cilat pjesëtarët e diasporës së Kosovës mund të jetojnë, por në të njëjtën kohë edhe investimet kapitale publike do të jenë më të ulëta këtë vit për shkak të nevojës së rialokimit të mjeteve buxhetore në qëllime të tjera. Aktiviteti i brendshëm ekonomik do të jetë më i kufizuar në tërësi, ndërsa gjasat që të shohim një rritje të investimeve të huaja direkte përgjatë këtij viti janë të zbehta gjithashtu.

“Epoka e re”: Po sa u përket investimeve nga ShBA-të, ç’pritje keni?
Zeka: Pandemia Covid-19 dhe kriza e lidhur me të ka vënë në sprovë funksionimin e zinxhirëve të vlerave anembanë globit. Vështirësimi i operimit të shumë ndërmarrjeve ndërkombëtare edhe për shkak të pamundësisë së paraqitjes së punëtorëve në vendet e tyre të punës, si dhe vështirësimi i transportit ndërkombëtar ka shkaktuar çrregullime të shumta në zinxhirët e vlerës. Këto çrregullime natyrisht se përbëjnë mundësi po ashtu, si për ndërmarrësit, ashtu edhe për shtetet siç është rasti me Kosovën, që jo vetëm të ndërrojnë modelin e tyre ekonomik, por edhe të përmirësojnë ofertën e tyre për investitorët e huaj, përfshirë edhe ata amerikanë. Ne duhet që tash menjëherë të nisim me diskutimet edhe për modelin ekonomik, edhe për qasjen tonë karshi investitorëve të huaj pas përfundimit të pandemisë, dhe këtu mendoj për një diskutim dhe veprim gjithëpërfshirës, i cili përfshin jo vetëm institucionet e shtetit, por edhe sektorin privat, institucionet financiare vendore e ndërkombëtare, si dhe ekspertët dhe akademinë.

“Epoka e re”: FMN-ja e ka miratuar ndihmën financiare për Kosovën në vlerë prej 51.6 milionë eurosh, ndihmë kjo që është në kuadër të Instrumentit për Financim të Shpejtë (RFI). Ku duhet fokusohet më shumë kjo shumë e mjeteve?
Zeka: Këto mjete të Fondit Monetar Ndërkombëtar duhet me patjetër të vihen në dispozicion të sektorit privat, duke e ditur nevojën enorme për mjete likuide në këtë situatë. E di që Ministria e Financave dhe Transfereve e ka të nevojshme mbylljen e hendekut buxhetor të krijuar pas rënies së të hyrave përgjatë javëve të kaluara, por megjithatë këto fonde nga RFI, por edhe fondet nga institucionet e tjera ndërkombëtare duhet të injektohen direkt në sektorët dhe projektet me efekte më të mëdha multiplikative në ekonominë tonë.

“Epoka e re”: Në rastin me optimist, nga prizmi juaj, kur pritet të rimëkëmbet ekonomia e Kosovës?
Zeka: Kjo është vërtetë një pyetje, përgjigja e të cilës nuk mund të jepet në këtë moment kohor, edhe për shkak të pasigurisë rreth kohëzgjatjes së pandemisë dhe rrjedhimisht edhe kufizimit të aktiviteteve ekonomike, por edhe për shkak të mungesës së të dhënave zyrtare për efektet negative të pandemisë Covid-19 në sektorin privat dhe në ekonomi në përgjithësi. Disa vlerësime të institucioneve financiare ndërkombëtare sugjerojnë që viti 2021 do të shohë një rikuperim të pjesshëm të ekonomisë. Pozitive janë parashikimet e shumë ekonomistëve të njohur botërorë se megjithatë rikuperimi do të jetë i formës së ashtuquajtur V, që nënkupton një rikuperim të shpejtë. Ajo që është pozitive po ashtu është se tashmë po flitet për programe të mëdha financiare të cilat do të vihen në dispozicion si nga shtetet ashtu edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare për mbështetje të qeverive, por edhe sektorit privat, me qëllim të rikuperimit ekonomik. Kjo, po që përbënë mundësi të mëdha edhe për ndërmarrjet e Kosovës, të cilat po i ftojmë që tash të nisin të përgatisin planet e biznesit me qëllim të përfitimit nga këto programe financiare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kur shifrat e Covid-19 kanë kaluar mbi 2.2 milion të…