Zeka: Kualifikimi është obligim i Feronikelit

26 korrik 2019 | 18:02

Mevlan Zeka, autor i dy golave në Ligën e Kampionëve në këtë edicion, ka thënë se Feronikeli e ka obligim ta fitojë ndeshjen e kthimit ndaj Slovan Bratislavës dhe të kualifikohet në rrethin e tretë të Ligës së Evropës.

Feronikeli e humbi ndeshjen e parë të rrethit të dytë në Ligën e Evropës nga Slovan Bratislava (2-1), por kjo nuk e pengon sulmuesin Mevlan Zeka të krenohet me paraqitjen e futbollistëve kampionë të Kosovës në Sllovaki. Ai ka thënë për “Epokën e re” se paraqitja ishte e mirë ndaj një kundërshtari të tillë.

“Kemi pasur paraqite të mirë ndaj një skuadre të fortë siç është Slovani, e cila ka përvojë të madhe në ndeshjet ndërkombëtare”, ka thënë Zeka. Sulmuesi që në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën është inkuadruar në lojë në pjesën e dytë foli edhe për ndeshjen e kthimit që zhvillohet më 30 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Zeka është shumë optimist se “Nikli” do të kualifikohet në raundin e tretë të Ligës së Evropës. “Asgjë nuk është e pamundur, sepse tash të gjithë dinë të luajnë futboll. Besoj shumë se në ndeshjen e kthimit te kemi përkrahje të madhe dhe do të luajmë për fitore e kualifikim. Nuk kemi çka të kalkulojmë dhe fitorja është obligimi ynë në ndeshjen që e luajmë si vendës”, ka deklaruar Zeka. Skuadra e Feronikelit, pas paraqitjeve superiore në Kosovë, ku arriti të triumfojë në garën për titull dhe Kupë, është paraqitur mirë edhe në garat ndërkombëtare.

Kjo skuadër fillimisht  mposhti Lincoln Red Imps FC (1-0), kurse më pas e mposhti edhe FC Santa Coloma (2-1), ani pse një pjesë të madhe të ndeshjes e luajti pa një lojtar. Feronikeli në përballje me The New Saints në Uells luajti 2-2, kurse në ndeshjen e kthimit pësoi humbje në “Fadil Vokrri” me rezultat 0-1.

Tifozët e Feronikelit iu kundërpërgjigjen tifozëve sllovakë

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Sllovaki, tifozët vendës nuk janë treguar aspak miqësorë me Feronikelin, pasi kanë shfaqur banderola me mbishkrimin se Kosova është Serbi. Kjo i ka irrituar tifozët e Feronikelit, “Tigrat e Zi”, të cilët kërkojnë mbështetjen e të gjithë tifozëve shqiptarë. “Të gjithë për ‘Niklin’, të gjithë për Shqipërinë. Kosova është Shqipëri”, shkruajnë tifozët e Feronikelit.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fizika simetrike, udhëtim drejt universit (10)  Shkruan: Naim Krasniqi, fizikan…