Zeka: PDK-së në Gjilan dhe në qendër i nevojitet freskimi me kuadro të reja

16 prill 2018 | 15:02

Dikur drejtonte Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) Dega në Gjilan, e tani mendon se kësaj dege i nevojitet reformë e thellë dhe freskim me kuadro të reja.

Izmi Zeka, ish-kryetar i Degës së PDK-së në Gjilan, aktualisht anëtar i Këshillit drejtues të kësaj partie, ka thënë se partia e drejtuar nga Kadri Veseli ka nevojë për një frymë të re, e cila sipas tij i jep elan dhe vazhdimësi politikave institucionale të PDK-së.

“Si parti që udhëheqim me Kosovën, tani jemi në fazën e rifreskimit për të bërë hapin që i duhet Kosovës dhe perspektivës së saj. PDK-ja është konstantja e qeverisjes prandaj edhe Kosovës i duhet reforma e saj. Unë kam udhëhequr PDK-në në Gjilan dhe tani jam që PDK-ja të freskohet me kuadro të reja. Freskimi i saj po e përsërisë i bënë mirë edhe Kosovës. PDK-ja në Gjilan ka kuadro që udhëheqin jo vetëm Gjilanin, por edhe Prishtinën”, ka thënë Zeka për “2LONLINE”.

Zeka ka thënë se PDK-ja në Gjilan do të jetë parti e cila punon dhe vepron për interesa të qytetarëve të saj.

“Ne kemi treguar edhe më herët se qeverisja nuk është privilegj, por përgjegjësi ndaj qytetarëve. Kjo maksimë dhe filozofi do të na përcjellë gjatë tërë kohës”, ka thënë Zeka.

Duke qenë kritik ndaj qeverisjes aktuale të Lutfi Hazirit në Gjilan, Zeka ka thënë se qytetarët kanë mundësin t’i shohin dallimet në mes PDK-së dhe LDK-së.

“Edhe pse shkuan disa vite, projektet e ish-kryetarit të PDK-së z. Thaçi tani po realizohen siç është rasti me autoudhen Lipjan-Bresalc-Dheu i Bardhë e deri në Konçul”, ka thënë Zeka.

Izmi Zeka në Qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj është zëvendësministër i Punëve të Brendshme (MPB).

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në orën 21:00 zhvillohet ndeshja e fundit për ketë xhiro…