
Zelenskiy kërkon që Perëndimi ta bojkotojë naftën e Rusisë, ShBA-ja po e shqyrton
Presidenti i Ukrainës, Volodmyr Zelenskiy, ka thënë se e ardhmja e Evropës po vendoset nga rezistenca ukrainase dhe u ka bërë thirrje liderëve perëndimorë që t’i japin atij aeroplanë ushtarak, raporton “Reuters”.
Siç shkruan “The Guardian”, presidenti ukrainas ka kërkuar gjithashtu bojkot të naftës dhe eksporteve ruse nga ana e Perëndimit.
Së fundmi po raportohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë ta ndalojnë naftën nga Rusia, duke gjetur alternativa tjera.
Siç raporton mediumi amerikan “Axios”, këshilltarët e presidentit të ShBA-së Joe Biden po diskutojnë për një vizitë të mundshme në Arabinë Saudite për të ndihmuar në riparimin e marrëdhënieve dhe për ta bindur Mbretërinë për ta rritur prodhimin e naftës.
Po ashtu, edhe Venezuela shihet si një opsion.
Të dielën, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka thënë se ligjvënësit amerikanë po “eksplorojnë” legjislacionin e mundshëm për ta izoluar Rusinë, duke përfshirë një ndalim të plotë të naftës dhe produkteve energjetike ruse në ShBA.