
Zelensky bisedë telefonike me Macron, në fokus mbështetja e Ukrainës për mbrojtjen ajrore dhe trajnimi i pilotëve
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi të premten një bisedë telefonike me presidentin francez Emmanuel Macron, ku theksi u vendos mbi nevojat urgjente të mbrojtjes së Ukrainës, përfshirë forcimin e mbrojtjes ajrore dhe trajnimin e pilotëve ukrainas në avionët luftarakë francezë Mirage.
“Diskutuam situatën në vijën e frontit dhe prioritetet e Ukrainës në sektorin e mbrojtjes. Jam mirënjohës ndaj Emmanuelit për mirëkuptimin e tij strategjik dhe gatishmërinë për të na ndihmuar pikërisht me atë që u nevojitet ushtarëve tanë”, tha Zelensky përmes një postimi në platformën X.
Sipas tij, të dy udhëheqësit biseduan në detaje për furnizimin me raketa për sistemet franko-italiane kundërajrore SAMP/T, si dhe për financimin e dronëve interceptues që përdoren për të sprapsur sulmet ajrore ruse. Gjithashtu, u ra dakord për trajnimin e pilotëve ukrainas në avionët Mirage, duke theksuar gatishmërinë e Francës për të pranuar personel shtesë dhe për të zgjeruar këtë program, që do të forcojë aftësinë operacionale të Forcave Ajrore ukrainase.
Zelensky shtoi se po përgatiten vendime të përbashkëta me Francën dhe partnerë të tjerë në nivelin e ministrave të mbrojtjes dhe të jashtëm për hapat e mëtejshëm që do të mbrojnë jetën e popullit ukrainas nga sulmet ruse.
Ai gjithashtu falënderoi Francën për kontributin në promovimin e paketës së 18-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe theksoi nevojën për të rritur presionin global mbi Moskën.