Zelensky bisedon me presidentin kinez, Kina do të dërgojë përfaqësues në Ukrainë

26 prill 2023 | 16:30

Kina do të dërgojë përfaqësuesit e saj të posaçëm në Ukrainë dhe do të bisedojnë me të gjitha palët për zgjidhjen e krizës atje, i ka thënë presidenti Xi Jinping, të mërkurën, homologut të tij ukrainas, raportojnë mediat shtetërore kineze.

Xi ia tha këtë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë një bisede përmes telefonit, njoftoi televizioni shtetëror “CCTV”.

Kina do të fokusohet në promovimin e bisedimeve të paqes dhe do të bëjë përpjekje për një armëpushim, sa më shpejt të jetë e mundur, i ka thënë Xi presidentit ukrainas Zelensky, është thënë në raport.

“Kam pasur një bisedë të gjatë dhe të rëndësishme telefonike me presidentin Xi Jinping. Besoj se kjo ftesë, si dhe emërimi i ambasadorit të Ukrainës në Kinë, do t’i japë një shtysë të fuqishme zhvillimit të marrëdhënieve tona dypalëshe”, ka shkruar Zelensky në “Twitter”.

Në fillim të prillit, Xi ka thënë se ishte i gatshëm të fliste me Zelenskyn.

Zelensky i ka kërkuar disa herë presidentit kinez Xi të takohet me të, edhe pasi lideri kinez ka vizituar presidentin rus, Vladimir Putin në Moskë, muajin e kaluar.

Në shkurt, Kina ka publikuar një dokument me 12 pika, në të cilin ka theksuar pozicionin e saj për konfliktin në Ukrainë. Sipas agjencive botërore, disa diplomatë besojnë se dokumenti mund të shërbejë si një plan paqeje dhe për të inkurajuar Moskën dhe Kievin për të zhvilluar bisedime, raporton “Rel”.

Në shtator, Pekini nuk e ka njohur aneksimin e njëanshëm të katër territoreve ukrainase nga Rusia dhe as aneksimin e Krimesë në vitin 2014.

Më 24 shkurt të vitit 2022, Moska ka filluar pushtimin e Ukrainës. Gjatë vitit të parë të luftës, dhjetëra mijëra njerëz vdiqën, duke përfshirë mijëra civilë, disa milionë njerëz u bënë refugjatë, ndërkaq disa qytete u shkatërruan plotësisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vedat Muriqi po kalon ndoshta vitin më të mirë në…