Zelensky: Kemi gjetur mikrokompjuterë britanikë të përdorur në raketat dhe dronët rusë

06 tetor 2025 | 23:53

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se mikrokompjuterë të prodhuar në Mbretërinë e Bashkuar janë në mesin e më shumë se 100.000 pjesëve të prodhuara jashtë Rusisë që gjenden në raketat dhe dronët rusë të përdorur në sulmet vdekjeprurëse ndaj Ukrainës të dielën.

Zelensky bëri thirrje për sanksione më të fuqishme dhe efektive, pasi sipas tij janë identifikuar pjesë me origjinë nga vende aleate si Gjermania, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, që përdoren ende në armët ruse.

Departamenti për Biznes dhe Tregti (DBT) në Britani deklaroi se kohët e fundit ka ndërmarrë masa për të goditur kompanitë britanike që produktet e tyre vazhdojnë të përfundojnë në zinxhirin e furnizimit ushtarak të Rusisë.

“Ne i marrim jashtëzakonisht seriozisht raportet që tregojnë se produkte nga kompani britanike janë gjetur në armët ruse”, tha një zëdhënës i qeverisë britanike.

Ai shtoi se qeveria ka ndaluar eksportin e mijëra mallrave drejt Rusisë, përfshirë çdo pajisje që Ukraina ka identifikuar si të përdorur në fushëbetejë, dhe se janë vendosur paketat më të ashpra të sanksioneve ndonjëherë.

Çdo person apo kompani që nuk zbaton sanksionet mund të përballet me gjobitje të mëdha financiare apo ndjekje penale.

Sipas DBT-së, rreth 25 miliardë dollarë si tregti britanike me Rusinë është aktualisht nën sanksione.

Në një postim në rrjetin social X, Zelensky shkroi: “Mikrokompjuterët për kontrollin e fluturimit të dronëve prodhohen në Mbretërinë e Bashkuar”.

Katër anëtarë të një familjeje, përfshirë një vajzë 15-vjeçare, u vranë në një sulm në fshatin Lapaivka të dielën, ndërsa Rusia lëshoi 549 raketa dhe dronë gjatë natës, kryesisht në rajonin perëndimor të Lvivit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nesër në Kosovë parashikohet mot i ftohtë dhe me vranësira,…