
Zelensky nënshkruan ligjin që kufizon pavarësinë e agjencive kundër korrupsionit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nënshkroi një ligj që kufizon pavarësinë e dy agjencive kryesore kundër korrupsionit: Byrosë Kombëtare kundër Korrupsionit të Ukrainës (NABU) dhe Zyrës së Prokurorit të Posaçëm kundër Korrupsionit (SAPO).
Zelensky mori vendimin pavarësisht protestave dhe kritikave nga aleatët evropianë të Ukrainës.
Qindra qytetarë protestuan më 22 korrik në qendër të Kievit, duke i kërkuar presidentit që ta refuzonte ligjin, raporton REL.
Ata thanë se ligji ishte miratuar me nxitim dhe se i hapte rrugë ndërhyrjes së Qeverisë në hetimet për korrupsion.
Protesta kishte edhe në Dnjipro dhe në qytete të tjera.
Ligji u miratua nga 263 deputetë në Parlamentin ukrainas, i cili ka gjithsej 450.
Përndryshe, NABU heton rastet e korrupsionit në institucionet shtetërore, ndërsa SAPO ndjek penalisht rastet e tjera të korrupsionit.
Që nga themelimi në vitin 2015, NABU ka nxjerrë në pah raste të rënda korrupsioni që kanë përfshirë edhe zyrtarë të lartë.
Në video-adresimin e tij të përditshëm, Zelensky tha se infrastruktura anti-korrupsion e Ukrainës duhet të pastrohet nga ndikimi rus, duke shtuar se NABU dhe SAPO do të vazhdojnë punën e tyre.
“Është gjithashtu e rëndësishme që prokurori i përgjithshëm të jetë i përkushtuar për të siguruar llogaridhënie të vërtetë për ata që shkelin ligjin. Kjo është ajo që i duhet vërtet Ukrainës”, tha ai.
Bashkimi Evropian e përshkroi vendimin e Parlamentit ukrainas për të miratuar projektligjin si një “hap serioz prapa”.
“Shkatërrimi i garancive kryesore që mbronin pavarësinë e NABU-së është një hap serioz prapa”, shkroi komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, në X.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me Ukrainën për reformat e nevojshme në sundimin e ligjit dhe përparimin në rrugën drejt BE-së”, shtoi ajo.
Ligji, i propozuar nga partia në pushtet e Zelenskyt, e bën prokurorin e përgjithshëm udhëheqës de facto të SAPO-s, duke ia hequr kompetencat kreut aktual të kësaj agjencie kundër korrupsionit.
Po ashtu, ligji i mundëson prokurorit të përgjithshëm t’i mbyllë në mënyrë të njëanshme rastet që përfshijnë zyrtarë të lartë dhe i jep atij të drejtën t’i transferojë hetimet e NABU-së tek agjenci të tjera.
“Me këtë vendim, Parlamenti, jo vetëm që i heq shoqërisë njërën nga arritjet më të mëdha që nga Revolucioni i Dinjitetit – institucionet e pavarura kundër korrupsionit – por gjithashtu minon besimin e partnerëve ndërkombëtarë të Ukrainës”, thuhet në një reagim të organizatës Transparency International Ukraine, pas miratimit të ligjit.
Transparency International tha se nëse Zelensky nuk i vë veto ligjit, ai “do ta ndajë përgjegjësinë me Parlamentin për çmontimin e infrastrukturës kundër korrupsionit në Ukrainë”.