Zelensky paralajmëron botën: Putini mund të përdorë armë bërthamore, të jeni të përgatitur

15 prill 2022 | 18:53

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha për CNN se “të gjitha vendet e botës” duhet të përgatiten për mundësinë që presidenti rus, Vladimir Putin të mund të përdorë armë taktike bërthamore në luftën kundër Ukrainës.

Në një intervistë nga zyra e presidentit në Kiev, Zelensky tha se Putini mund të kthehet në armë bërthamore ose kimike, sepse ai nuk vlerëson jetën e ukrainasve.

“Jo vetëm unë – e gjithë bota, të gjitha vendet duhet të shqetësohen”, tha ai. “Për ta, jetët e njerëzve nuk vlejnë asgjë. Dhe ky nuk është më një problem vetëm për Ukrainën, por për të gjithë botën”, tha ai.

Më herët në një fjalim natën drejtuar kombit, Zelensky tha se ukrainasit duhet të jenë krenarë që kanë mbijetuar 50 ditë nën sulmin rus. Ai e quajti pushtimin rus absurd dhe vetëvrasës. “Kemi duruar 50 ditë, 50 ditë pushtimin rus, edhe pse pushtuesit na dhanë maksimumi pesë ditë”, tha ai.

Zelensky e përshkroi atë si “arritje të miliona ukrainasve, të cilët të gjithë morën vendimin më të rëndësishëm të jetës së tyre më 24 shkurt – luftimin”.

Ai tha gjithashtu se kujton ditën e parë të pushtimit, kur udhëheqësit perëndimorë e këshilluan atë të largohej nga Ukraina. “Ata nuk e dinin se sa të guximshëm jemi ne ukrainasit, sa e vlerësojmë lirinë dhe mundësinë për të jetuar ashtu siç duam”, shtoi ai.

Në fjalimin e tij të natës, Zelensky përmendi gjithashtu fundosjen e anijes kryesore ruse të Detit të Zi, ‘Moska’, si një tregues se si ukrainasit mund t’i tregojnë forcën e tyre rusëve.

Zelensky tha se trupat ruse “po përsërisin në tokën ukrainase atë që Evropa pa vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore”, duke kritikuar ashpërsinë e sanksioneve perëndimore gjatë rrugës.

“Gjatë 50 ditëve të kësaj lufte, Ukraina është bërë hero për të gjithë botën e lirë. Për ata që kanë guximin ta quajnë me emrin e vërtetë. Për ata që nuk janë helmuar nga propaganda. Ju jeni bërë të gjithë heronj. Të gjithë ukrainasit kush duroi dhe nuk dorëzohet”, tha Zelensky.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 38-vjeçar ukrainas ka rrëfyer tre shpërthimet që ndodhën ditën…