Zelensky refuzon kategorikisht të japë Donbasin në bisedimet me Trump

16 gusht 2025 | 20:38

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka refuzuar kategorikisht çdo propozim për të dorëzuar rajonin e Donbasit gjatë diskutimeve me presidentin amerikan Donald Trump dhe disa liderë evropianë.

Sipas raportimeve të Reuters, gjatë një takimi informues pas samitit të Trump me Vladimir Putinin në Alaskë, presidenti amerikan përcolli një propozim të Moskës: Ukraina të jepte të gjithë rajonin e Donetskut në këmbim të një “ngrirjeje” përgjatë vijës së frontit dhe mundësisë për një marrëveshje paqeje.

Zelensky e hodhi poshtë menjëherë këtë ide, duke e cilësuar të papranueshme.

Burime diplomatike theksojnë se Zelensky i konsideron këto kërkesa jo vetëm të papajtueshme me Kushtetutën e Ukrainës, por edhe të rrezikshme, pasi do të legjitimonin agresionin rus dhe do të krijonin precedent për kërkesa të tjera territoriale.

Në deklarata të mëparshme, presidenti ukrainas ka theksuar se çështjet territoriale mund të diskutohen vetëm pasi të vendoset një armëpushim i plotë dhe të sigurohen garanci reale për sigurinë e vendit.

Agjencia e lajmeve Associated Press nënvizon se Zelensky i ka paralajmëruar aleatët perëndimorë se dorëzimi i Donbasit do të ishte një goditje fatale për sovranitetin e Ukrainës dhe një “ftesë” për agresione të tjera nga Kremlini.

Ndërkohë, Trump ka lënë të kuptohet se është në kërkim të një marrëveshjeje të shpejtë, duke e parë si rrugën më të mirë për t’i dhënë fund luftës, por pa marrë ende dakordësinë e palës ukrainase.

Kjo përplasje mes kërkesave të Putinit dhe refuzimit të Zelenskyt e vendos diplomacinë ndërkombëtare përballë një sfide të re, në një moment kur lufta në Ukrainë vazhdon të mos ketë zgjidhje të afërt.

Sipas raportimeve, Putini ka refuzuar idenë e një armëpushimi të përkohshëm dhe ka këmbëngulur për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë.

Kërkesat kryesore të Kremlinit, sipas të njëjtave burime, përfshijnë:

‘Tërheqjen e plotë të Ukrainës nga rajoni i Donetskut dhe kalimin e kontrollit të gjithë Donbasit te Rusia.

-Ruajtjen e territoreve të pushtuara në Zaporizhia dhe Kherson nën kontrollin rus.

-Një premtim nga Moska se nuk do të synojë pushtime të reja territoriale.

-Shpalljen e gjuhës ruse si gjuhë zyrtare në Ukrainë.

-Garanci për sigurinë e Kishave Ortodokse ruse në Ukrainë.

Kërkesat e bëra publike përbëjnë një paketë të gjerë që shkon përtej çështjeve ushtarake dhe territoriale, duke përfshirë edhe elementë të identitetit kombëtar dhe kulturor të Ukrainës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vladimir Putin thuhet se ka ofruar të ndalojë ofensivën e…