
Zelensky: Sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës janë terrorizëm i pastër
Volodymyr Zelensky i është drejtuar udhëheqësve botërorë në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës.
Duke folur për sulmin e fundit me dronë, udhëheqësi ukrainas tha se sulmi masiv përfshinte dronë ruso-iranianë Shahed, të cilët janë më të vështirë për t’u rrëzuar.
“Ukrainasit tani përballen me sulme nga qindra prej këtyre dronëve çdo natë dhe ky është terrorizëm i pastër”, tha ai.
Zelensky vërejti se vetëm një ditë më parë, mbi 700 dronë dhe raketa u lëshuan në Ukrainë, shkruan skynews.
“Kjo është pikërisht ajo që dëshiron Putini, që populli ynë të vuajë dhe të largohet nga Ukraina”, shtoi presidenti ukrainas.
Ndryshe, ai theksoi se vendi i tij ka nevojë për më shumë sisteme dhe raketa mbrojtëse ajrore dhe u kërkoi aleatëve të rrisin investimet e tyre.
“Kur Rusia rrit sulmet e saj, nuk mund të kemi mungesë fondesh për prodhimin e dronëve”.