Zemaj ia dorëzon detyrën Vitisë: Të arriturat tona janë të prekshme

23 mars 2021 | 12:07

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i ka dorëzuar detyrën e ministrit Arben Vitisë nga Vetëvendosje.

Zemaj ka thënë se do të vazhdojë të angazhohet për të kontribuar  në të mirën e kësaj fushe. Ai nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook” ka thënë se gjatë mandatit të tij pandemia ishte fokusi i tij.

Zemaj ka thënë se të arriturat në shëndetësi gjatë mandatit të tij ishin të prekshme.

Postimi i plotë i Zemajt:

Me ndjenjën e përgjegjësisë më të lartë, dorëzova pozitën e ministrit të Shëndetësisë të ministri i ri, z. Arben Vitia, mirëpo kjo nuk nënkupton që do të ndalem së angazhuari e përkushtuari për të kontribuar në të mirën e kësaj fushe dhe të mirën e shëndetit të qytetarëve tanë.

Ministria e Shëndetësisë në këtë kohë pandemie është sfida më e madhe për çdo drejtues të saj, dëshmi të saj e kemi edhe punën tonë të jashtëzakonshme e të matshme, e cila është gjurmë orientuese dhe përcaktuese për të bërë më të mirën për shëndetësinë.

Puna e madhe e bërë deri më sot, do të jetë më e lehtë të vazhdohet. Pandemia ishte fokusi ynë.

Të arriturat e shëndetësisë tonë janë të prekshme në çdo nivel të përkujdesjes. Përkundër pandemisë, kemi ngritur shërbimet e reja të përkujdesjes shëndetësore, është ngritur cilësia dhe sasia e shërbimeve shëndetësore, për çka jam krenar sikur me shumë angazhime tjera.

Kemi bërë rritjen e testeve nga 150 në mbi 5 000 teste ditore, duke vazhduar njëkohësisht me furnizimin e institucioneve tona shëndetësore me pajisje, barna e material shpenzues, si dhe kemi krijuar ambiente dhe kushte për profesionistët shëndetësorë të cilat kanë munguar më herët.

Gjatë kësaj kohe, sistemi shëndetësor është fuqizuar me 1 500 specializantë, janë punësuar  mbi 160 specialistë të mjekësisë  të papunë ndërvite dhe rreth 700 anëtarë të stafit profesional, teknik shëndetësor. Kjo është një e arritur e veçantë dhe si e tillë do të mbetet përherë, ngaqë ajo fakton më së miri qasjen tonë përballë – njerëzve të shëndetësisë.

Kemi thelluar bashkëpunimin me institucionet tjera vendore e ndërkombëtare, me donatorët në veçanti, ndaj të cilëve jemi falënderues përgjithmonë.

Suksesi në shëndetësi është sukses i shtetit dhe i qytetarëve, i cili fillimisht vjen gatishmëria, sakrifica dhe puna e personelit shëndetësor, ku me plot të drejtë sot quhen heronjtë e ditëve tona.

Përherë mirënjohës, falënderues dhe i përulur ndaj të gjithë atyre që kontribuuan në çfarëdo forme për shëndetësinë e vendit.

Në çfarëdo cilësie e në çdo kohë, me gjithë shpirt, dije dhe eksperiencë, do të mbetem shërbëtor i të mirës së shëndetësisë tonë, ngaqë shëndeti i mirë i qytetarëve tanë është i pari, krejt të të tjerat vijnë më pas.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa aplikacione kishin probleme për përdoruesit e Android, por Google…