Zemaj kërkon sqarime nga ministri Hoti për ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998 – 1999”

08 prill 2026 | 12:35

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kërkuar sqarime nga ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998 – 1999”, për të cilën, ai tha se ka përmbajtur pasaktësi si rezultat i interpretimit të gabuar të të dhënave.

Zemaj theksoi rëndësinë e kësaj ekspozite, duke ngritur shqetësime për përmbajtjen e saj dhe përputhshmërinë me të vërtetën historike, ndërsa kërkoi edhe sqarime për financimin dhe shpërndarjen e materialeve të lidhura me të.

“Për rëndësinë e kësaj ekspozite, e cila për pjesët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por edhe deklaratat që kanë dalë nga protagonistët e këtyre ngjarjeve nuk rezultojnë me të vërtetën historike. Është një devijim që konsiderohet i qëllimshëm ose i paqëllimshëm, por që duhet të vërtetohet në aspektin institucional, pra edhe kjo pjesë e përgjegjësisë ju takon edhe juve si kategori e re institucionale për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare. Shohim cili ka qenë financimi i shtetit edhe për këtë ekspozitë ose librat të cilat tash përfolen, ndër librat që ekziston pjesa faktike financimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku është shpërndarë, kush i ka shpërndarë, cili ka qenë qëllimi, a ka pasoja nga këto devijime historike të cilat janë të dëmshme, të cilat kanë të bëjnë me ngjarjet tragjike të luftës, ku flitet për masakra, evidentimin e numrit të njerëzve, familjarëve edhe diçka që lidhet që është temë edhe sensitive, por është në fund të fundit është çmimi që ka paguar populli shqiptar për liri dhe pavarësi, sidomos në fundit e fundit”, pyeti Zemaj.

Ministri Andin Hoti tha se është krijuar një perceptim i gabuar publik për përgjegjësinë e ministrisë që ai drejton lidhur me këtë ekspozitë, duke theksuar ndarjen e qartë të kompetencave institucionale në Kosovë.

“Ajo çka ka ndodhur, dy javët e fundit, dhe në veçanti ajo ngjarje në Prishtinë, padashur të hyjë në debat politik këtu, krijimi i një opinioni publik se qenka ministria që unë udhëheq, pavarësisht emërtimit që e ka, dhe tash po ua shpjegoj pse ka një lloj përgjegjësie në raport me atë çka ka ndodhur në ekspozitën në shesh. Në Republikën e Kosovës mekanizmat, institucionet janë të ndara në fushëveprimtrinë e tyre. Rrjedhimisht, mekanizmi ose institucioni, instituti, që bën përmbledhjen e historisë nuk jam unë, është Instituti i Historisë. Institucioni që bën verifikimin e fakteve është Instituti për Krimet e Luftës, që është themeluar para dy – tre vjetësh. Ministria ka për mandat reagimin, mbrojtjen e vlerave dhe reagimin. Dhe çka kam bërë unë është, nuk po them që jam i pari, por ndër të parët që kam reaguar për ekspozitën çka qe në shesh”, tha ai.

Pas kësaj, deputeti Armend Zemaj reagoi sërish duke kërkuar sqarime shtesë, ndërsa kryetarja e Komisionit, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e akuzoi atë për politizim të çështjes. Ndërkohë, ministri Andin Hoti shtoi se iniciatori i ekspozitës, Shkëlzen Gashi, nuk është kryeministri Albin Kurti, por bëhet fjalë për një iniciativë individuale të vetë autorit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka folur për çështjen e…