Zemaj kritikon qeverinë Kurti për gjendjen në shëndetësi

29 shkurt 2024 | 11:47

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, gjatë seancës të jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvend rreth shqyrtimit të propozim- rezolutës për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore, ka kritikuar qeverinë Kurti dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ai ka thënë se shëndetësia është sektori më i nëpërkëmbur i qeverisë Kurti.

“Trevjetori i ardhjes në pushtet i kësaj partie politike, e gjen shëndetësinë tmerrësisht keq, më keq se asnjëherë më parë. Kjo qeveri, më saktësisht shëndetësia në krye me ministrin Vitia janë të paaftë, të paditur dhe dështuesit më të mëdhenj që ka pasur Kosova. Në karrierën time politike kurrë skam parë, dëgjuar e as lexuar se një qeveri mund ta shpenzojë 75 për qind të kohës qeverisëse pa lëne asnjë shenjë pozitive, sikurse kjo qeveri”, ka thënë Zemaj.

Më tutje, Zemaj ka renditur disa nga dështimet e qeverisë Kurti, si listat e pritjes, mungesën e investimeve e të tjera.

“Paaftësia në veprim e qeverisje është kryefjala e veprimit tuaj politik. Shumë të paaftë u treguat edhe tek investimet kapitale, me vetëm 8 për qind të buxhetit të shpenzuar nuk arritët të zgjidhni asnjë problem sektorit të shëndetësisë, kur dihen nevojat për investime kapitale gjithandej në spitalet e Kosovës. Në funksion të manipulimit me shifra, u lavdëruat për buxhetin e vitit 2024, i cili buxhet e vazhdon sagën e mjerimit, sepse nuk adreson nevojat, nuk ka investime te reja, pjesa dërmuese janë vazhdim i viteve të mëhershme, nuk parashihet asnjë staf shtesë, infermierë, mjek apo staf teknik. 6 milionë euro tepruan nga buxheti për blerjen e barnave, ndërsa qytetarët e Kosovës po vuajnë për dorën e shtetit. Listat e pritjes janë kthyer në ankth, sepse qeveria që nuk qeveris, nuk merret me asnjë problem, vetëm krijon problem”, ka thënë Zemaj, duke shtuar se shëndetësia është në gjendje të mjeruar në qeverinë Kurti.

“Shëndetësia është e mjeruar me ju! Jetesa e qytetarëve edhe më shumë. Por, ndëshkimi është dhurata më e mirë për dështakët”, ka thënë Zemaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka…