Zemaj: Po bëjmë çmos që të mos kthehemi në izolim

29 qershor 15:35

Ministri i Shëndetësisë Armend  Zemaj ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës po bënë çmos që vendi të mos kthehet në izolim.

Në një konferencë për medie, se bashku me kryeministrin Hoti, ai ka thënë  rritja e numrit të rasteve me koronavirus ishte e pritshme pas futjes në fazën e tretë të lehtësimit të masave, por jo në këtë masë.

“Ministria e Shëndetësisë me gjithë potencialet e saj që ka është duke u angazhuar që ta menaxhojmë situatën duke përfshirë edhe shërbimet e tjera shëndetësore që janë nevojë e qytetarëve të Kosovës. Ne jemi në fazën e tretë të hapjes graduale ekonomike dhe shumica e veprimtarive janë lejuar që ka rezultuar me rritje të numrit të rasteve pozitive. Nuk mund të thuhet që ishte e papritur, por për fat të keq ka rezultuar me rritje të numrit të pacientëve që kërkojnë tretman spitalor në Klinikën Infektive. E gjitha kjo është si pasojë e mosrespektimit të masave të ndërmarra nga ana e bizneseve dhe veprimtarive të tjera të lejuara, por edhe nga qytetarët të cilëve iu ofruam ‘Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19’”, ka thënë Zemaj.

Zemaj është shprehur skeptik nëse do të vazhdohet me fazat e reja të hapjes nëse situata mbetet e njëjtë.  “Mosrespektimi i masave tregon që mirëbesimi i nënkuptuar si kusht për hapjen nuk është përkthyer në përgjegjësi pas vendimit për hapje të plotë dhe lejimit të veprimtarive të ndryshme, prandaj me qëllim që t’i japim një shansë më shumë edhe më tepër frymëmarrjes së bizneseve të dëmtuara këta tre muaj nga pandemia hapëm edhe linjat e  rregullta të fluturimeve ajrore dhe planifikuam që të shkojmë edhe me hapje të veprimtarive të tjera”, ka deklaruar Zemaj.

(M.K / Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka nënshkruar të hënën Marrëveshjen…