Zemaj premton përkrahje për shëndetësinë e Malishevës
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, kanë qëndruar sot në Malishevë, ku janë pritur nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Liridon Hoti, drejtori i QKMF-së, Nuhi Morina dhe nga përgjegjës tjerë komunal.
Fillimisht, ministri Zemaj, është pritur në objektin e komunës, ku nënkryetari i komunës, Hajdin e Berisha e ka informuar ministrin me situatën me pandemi në Malishevë, menaxhimin e situatës dhe për ndikimin e pandemisë.
“Sot jemi në ditën e 165, prej kur është shënuar rasti i parë, dhe nga ajo ditë, shtabi komunal emergjent është i angazhuar 24 orë në ditë në menaxhim të situatës dhe konsiderojmë se situata është e menaxhueshme, pavarësisht rasteve”, ka thënë nënkryetari Berisha.
Ministri Zemaj ka vlerësuar lartë punën dhe angazhimin e komunës në menaxhimin e situatës, përderisa shprehi shqetësimin për numrin më të madh të vdekjeve në këtë regjion në përgjithësi, si në Malishevë, Rahovec, Prizren e Gjakovë.
Zemaj ka thënë se jemi në një fazë të re menaxhimit të situatës dhe të gjitha veprimet do të merren në konsultim me komunat.
Ai ka thënë se është i interesuar që t’i ndihmojë komunat në çdo aspekt, në mënyrë që bashkërisht të tejkalohet kjo situatë dhe situata aktuale të mbahet në kontroll.
(F.D / Epoka e re)



