Zemaj pret në takim mjekun e njohur dr. Halil Krasniqi
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka pritur sot në takim mjekun e mirënjohur dr. Halil Krasniqin nga Peja që vepron në Gjermani.
Dr. Krasniqi, njëri ndër kirurgët me përgatitje të lartë akademike, me përvojë rreth 20-vjeçare, me mijëra operacione të kryera, që po jep kontribut në mjekësinë gjermane, e po ashtu edhe të ne.
“Talenti dhe aftësia e tij profesionale ja ka mundësuar dr. Krasniqit që në njërin nga spitalet në Gjermani t’i besohet drejtimi i klinikës për kirurgji vaskulare. Përveç kësaj humanitetin e tij po e ofron edhe në shërbim të pacientëve në Kosovë, duke kryer operacione të komplikuara në Prishtinë”, ka thënë Zemaj pas këtij takimi.
Ai ka thënë se do të bëjë çmos që mjekëve si dr. Krasniqi t’u jepet hapësirë të ushtrojnë profesionin në Kosovë, të krijohen kushtet që mjekët tanë të mos ikin nga Kosova.
“Qëllimi i politikave tona është që të fuqizohen kapacitetet profesionale dhe shërbimet mjekësore brenda Kosovës, ashtu sikur jemi shumë të vendosur dhe të përkushtuar për të rritur sasinë dhe cilësinë e shërbimeve ekzistuese”, ka deklaruar Zemaj.



