Zemaj: Zgjedhja e Bashës e pasqyron fytyrën e vërtetë të Vetëvendosjes

27 gusht 2025 | 13:40

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka thënë se zgjedhja e Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit të Kosovës e zbërthen Lëvizjen Vetëvendosje në thelbin e saj politik.

Ai ka deklaruar se përzgjedhja e Bashës lë shumë për të diskutuar dhe pak për të dëshiruar në raport me rëndësinë e pozitës.

“E kanë parë gjithë qytetarët, diku 57 seanca apo 58 tentativa për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, një bllokadë që e ka dëmtuar shumë Republikën e Kosovës dhe është duke e dëmtuar në vazhdimësi. Edhe interesi, ta quaj kështu, puro politik, i cili e ka kapur Kosovën dhe institucionet e saj nga Lëvizja Vetëvendosje, është shndërruar i dëmshëm. Edhe goxha kohë duhet që të riparohen disa dëme që janë bërë nga mospasja e institucioneve të reja dhe mbikëqyrja e ekzekutivit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”.

“Këta muaj dje e kanë shpërfaqur fytyrën e vërtetë të atij mashtrimi, të demagogjisë politike që e ka përdorur Lëvizja Vetëvendosje, fatkeqësisht me një përzgjedhje e cila ndoshta do ta lëndojë dhe do t’i japë edhe komente në vazhdimësi për atë që do të ishte institucioni ku do të ruheshin vlerat më të larta edhe individuale edhe kolektive të qytetarëve të Kosovës, me një përzgjedhje e cila lë pak për të dëshiruar, por lë shumë për të diskutuar, e cila është fytyra apo pasqyra e vërtetë e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Zemaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti politik, Shenoll Muharremi, ka reaguar pas dorëheqjes së Liburn…