Zemërohen ushtarët rusë në Ukrainë: Na mashtruan, duam të shkojmë në shtëpi

04 mars 2022 | 14:59

Ushtarët e fundit që janë kapur nga ukrainasit janë pesë rusë, të cilët ndodhen të ulur në një ndërtesë  dhe i kanë sytë e mbyllur. Njëri prej tyre e pyet se çfarë mesazhi do të dëshironte t’i dërgonte ushtarëve të tjerë dhe rusëve.

“Të them të drejtën, ata na mashtruan”, është përgjigjur oficeri, duke iu referuar eprorëve të tij  në Moskë.

“Gjithçka që na thanë ishte e rreme. Unë do t’u thoja atyre të largoheshin nga territori ukrainas. Kemi familje dhe fëmijë. Unë mendoj se 90 për qind prej nesh do të pranonin të ktheheshin në shtëpi”, ka thënë ai.

E megjithatë ka shumë intervista të ngjashme me robër rusë që kanë qarkulluar në rrjetet sociale. I pyetur se çfarë do t’u thoshte komandantëve të tij, njëri tha: “Ata janë pederasta”. Një frazë tjetër e përdorur shpesh është “oni obmanuli nas: na mashtruan”.

Nëntë  ditë pas pushtimit të Vladimir Putin është e qartë se një numër i konsiderueshëm i ushtarëve të tij janë të demoralizuar dhe hezitojnë të luftojnë.

Disa janë dorëzuar.

Të tjerë kanë braktisur automjetet e tyre dhe janë nisur drejt kufirit rus në këmbë, duke mbajtur armët dhe çantat e tyre, sipas videove të postuara. Por këto pamje nuk tregojnë se Kremlini do të dështojë në përpjekjet e tij për të pushtuar Ukrainën, raporton “abcnews.al”

Por morali i ulët në mesin e trupave pushtues mund të jetë një arsye pse plani i Rusisë për të mposhtur Ukrainën duket se nuk ka përparuar me shpejtësinë që do të kishte dashur Putini. Moska mendonte se operacioni do të ishte i shpejtë dhe i suksesshëm. Ushtarëve iu shpërndanë ushqime dhe karburant për vetëm dy ose tre ditë.

“Disa prej tyre menduan se do të kryenin stërvitje ushtarake. Ata nuk e prisnin rezistencën e ukrainasve” ka thënë Artem Mazhulin, një mësues 31-vjeçar i anglishtes nga Kharkiv.

“Shumë janë rekrutë të lindur në 2002 ose 2003. Po flasim për djem 19 dhe 20 vjeç”.

“Që nga viti 2014, qeveria ruse ka ‘shplarë’ trurin e popullsisë së saj me propagandë. Ata po përpiqen që ti bindin rusët se Ukraina nuk është një vend i vërtetë dhe se është në kontrollin e fashistëve”, ka thënë ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka…