Zëvendëskryeministri shqiptar i Maqedonisë: Qëllimi i Open Ballkan është fisnik

15 gusht 2021 | 18:46

Sipas Fatmir Bytyqit, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Open Ballkan është më se i nevojshëm për vendet ballkanike.

Ai ka thënë se kjo është iniciativë e vonuar pasi, sipas tij, do të duhej të ndodhte shumë më herët.

“Ajo iniciativë (Open Ballkan) është vonuar, në fakt mendoj që periudha e COVID-19 vetëm dëshmoi që nëse duam që rimëkëmbjen ekonomike ta kemi të shpejtë mendoj që çdo ditë e më herët do të duhet t’i kyçemi iniciativave çfarëdo quhen ato, por duke i lënë aspektet politike, duke parë vetëm aspektin ekonomik të ngritjes së konkurueshmërisë rajonale, të krijimit të zinxhirit të vlerës së tregjeve globale”, ka thënë Bytyqi për Kosovapress.

“Kjo është dritarja që Ballkani Perëndimor duhet ta shfrytëzojë në emër të krijimit të konkuruëshmërisë rajonale, sepse nëse këtë dritare e mbyllim dhe e humbim për shkak të kapriçove tona, mendoj që gjeneratat e ardhshme do të na dënojnë”.

Bytyqi ka thënë se këtë iniciativë të vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk e quan minishengen, por iniciativë ekonomike, dhe nëse nuk diskutohet, sipas tij, asnjëherë nuk mund të kuptohet.

“Unë i kuptoj brengat, e kuptoj çdo moment të hezitimit por duhet të diskutohet sepse fundja qëllimi i iniciativës është qëllim fisnik, ajo është t’i sjellim një mundësi më të madhe qytetarëve tanë, bizneseve tona, ekonomive tona. Sepse po e them, kjo është jetike për rimëkëmbjen më të shpejtë në periudhën pas COVID, nëse e humbim një rast të tillë, do e humbim të gjithë”, ka shtuar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur…