
Zëvendëskryeministrja Balaj-Halimaj: Kur e mora zyrën nuk kishte asnjë simbol të Kosovës
Në Kuvendin e Kosovës është diskutuar për raportimet në mediet serbe se zëvendëskryeministri Goran Rakiq, i ka hequr simbolet e shtetit të Kosovës nga zyra e tij në Qeverinë e Kosovës .
Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj, ka thënë se kur ajo ka hyrë në zyrën e saj në qeveri, pasi e ka marrë detyrën, nuk e ka gjetur asnjë simbol të Kosovës.
“Kur kam hyrë në zyrën time, s’ka pasur as flamur dhe as deklaratë të pavarësisë. Dikush i ka hequr këto nga zyrat”, ka thënë ajo.
Ndërsa nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, i ka kërkuar zëvendëskryeministres që të tregojë se a është vendosur në zyrën e ish-kryeministrit Avdullah Hoti, apo të ish-zëvendëskryeministrit Haki Abazi.
“Ju lutem ta specifikoni se zyrën e kujt e keni gjetur të zhveshur nga simbolet e institucioneve”, ka thënë Krasniqi.
Më tutje, Balaj-Halimaj ka thënë se nuk e di se zyrën e cilit ish-zëvendësministër e ka “zënë”, megjithatë ka përsëritur se nuk ka pasur flamur në zyrën të cilën është duke e shfrytëzuar tani.