Zëvendësministri i Mbrojtjes, Gegë Lleshi, merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare ASDA 2026 në Zagreb

03 qershor 2026 | 14:15

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Gegë Lleshi, së bashku me delegacionin e Ministrisë së Mbrojtjes, po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Mbrojtjes dhe Sigurisë ASDA 2026, e cila po mbahet në Zagreb, Kroaci, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, forcave të armatosura, industrisë së mbrojtjes dhe ekspertë të sigurisë nga vende të ndryshme të botës.

Ceremonia e hapjes nisi me fjalimin e Sekretarit Shtetëror të Ministrisë së Mbrojtjes së Kroacisë, Tomislav Galić, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të përvojave në adresimin e sfidave bashkëkohore të sigurisë.

Gjatë panelit të parë të konferencës diskutua mbi transformimin e industrisë së mbrojtjes përmes teknologjive të reja dhe inovacionit.

U vlerësua se inteligjenca artificiale, algoritmet e avancuara, sistemet autonome dhe dronët po ndryshojnë rrënjësisht konceptin e operacioneve moderne ushtarake duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse.

Vëmendje e veçantë iu kushtua menaxhimit të spektrit elektromagnetik, integrimit të inteligjencës artificiale në sistemet e mbrojtjes, si dhe nevojës për investime të vazhdueshme në kërkim dhe zhvillim.

Sipas ekspertëve, zhvillimi i industrisë vendore të mbrojtjes mbetet faktor kyç për forcimin e sigurisë kombëtare dhe rritjen e qëndrueshmërisë strategjike të shteteve.

Në diskutime u trajtua edhe ndërlidhja ndërmjet teknologjive të mbrojtjes dhe zhvillimit të sektorit hapësinor, ku u theksua se shumë inovacione teknologjike burojnë nga kërkimet në industrinë e mbrojtjes dhe po kontribuojnë në avancimin e sistemeve satelitore dhe teknologjive hapësinore.

Panelistët nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike, laboratorëve kërkimorë dhe forcave të armatosura, duke vlerësuar se inovacioni dhe zhvillimi teknologjik kërkojnë ndërveprim të vazhdueshëm ndërmjet kërkimit shkencor dhe testimit praktik në terren.

Pjesëmarrja në këtë konferencë paraqet mundësi të rëndësishme për shkëmbim përvojash, forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe njohje me zhvillimet më të fundit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FIFA ka konfirmuar rregullat e reja të konfirmuara që do…