Zëvendësministri Qorrolli në Konferencën Ministrore të Forumit të Berlinit në Sarajevë: “Kosova po e fiton betejën kundër korrupsionit: Nga drejtësia po lind zhvillimi, stabiliteti dhe besimi”

06 tetor 2025 | 18:12

Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Vigan Qorrolli, mori pjesë sot në Konferencën Ministrore të Forumit të Berlinit, të mbajtur në Sarajevë, në panelin e nivelit të lartë të Ministrave të Drejtësisë të Ballkanit Perëndimor me temën: “Lufta kundër korrupsionit si nxitës i qeverisjes së mirë në Ballkanin Perëndimor.” Në konferencë, përveç zëvendësministrit Qorrolli, nga Kosova morën pjesë edhe z. Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, si dhe z. Plator Avdiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), si përfaqësues i shoqërisë civile.

Pjesëmarrja e tyre përfaqëson bashkëpunimin institucional dhe qytetar në luftën kundër korrupsionit, që është bërë tashmë një prioritet kombëtar dhe rajonal.

Në fjalimin e tij, Qorrolli theksoi se lufta kundër korrupsionit në Kosovë nuk është më një premtim, por një realitet që po jep rezultate të matshme.

Ai tha se kjo luftë nuk është vetëm për drejtësi, por për dinjitetin e qytetarëve, stabilitetin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. “Korrupsioni nuk njeh kufij, por as integriteti nuk duhet të ketë kufij. Në një rajon me histori të përbashkët, bashkëpunimi për drejtësi është domosdoshmëri, jo zgjedhje,” tha Qorrolli.

Qorrolli paraqiti reformat që Kosova ka ndërmarrë me vendosmëri gjatë viteve të fundit, duke i vendosur sundimin e ligjit dhe integritetin publik në zemër të shtetndërtimit.

Ai përmendi pakon e gjerë ligjore kundër korrupsionit, që përfshin Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë dhe Ligjin për Sinjalizuesit, si dhe procesin reformator të pakos ligjore në sistemin e drejtësisë, me theks të posaçëm ligjet për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e gjyqtarëve/prokurorëve, Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve – për të cilat në mars të këtij viti Komisioni I Venecias e ka dhënë dritën e gjelbër dhe të cilat sigurojnë hapin e mëtejshëm për realizimin e këtyre reformave.

Ky proces, tha ai, nuk është importuar nga jashtë, por është ndërtuar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, si një mekanizëm i pavarur që garanton integritet, besueshmëri dhe pavarësi gjyqësore. “Ne nuk kërkojmë ndëshkim, por pastrim; jo kontroll, por besueshmëri. Sepse një drejtësi që i frikësohet transparencës, nuk mund të japë drejtësi,” u shpreh Qorrolli.

Në fjalimin e tij, Qorrolli tha se lufta kundër korrupsionit është edhe strategji ekonomike. Ai theksoi se nuk mund të ketë zhvillim pa integritet dhe sundim të ligjit.

Falë reformave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës:

  • është krijuar Gjykata Komerciale, që ka përmirësuar ndjeshëm klimën e biznesit;
  • janë digjitalizuar shërbimet publike përmes platformës E-Kosova, duke ulur burokracinë dhe rritur transparencën;
  • dhe janë fuqizuar hetimet ndërinstitucionale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

“Kjo është mënyra më e mirë për të krijuar besim te qytetarët dhe siguri për investitorët e huaj,” tha Qorrolli.

Në Sarajevë, Qorrolli njoftoi se sipas raportit më të fundit të Gallup (2025), Kosova është renditur e treta në botë dhe e para në Evropë për ndjenjën e sigurisë dhe besimit në institucionet e rendit dhe ligjit.

Kosova mori 94 nga 100 pikë në Indeksin e Rendit dhe Ligjit, duke u renditur menjëherë pas Taxhikistanit (97) dhe Singaporit (95) dhe para shteteve të zhvilluara si Islanda, Norvegjia, Austria dhe Zvicra.

“Ky është një vlerësim që flet vetë: Kosova është sot një vend i sigurt, demokratik dhe me institucione që funksionojnë. Këto nuk janë vetëm numra, por besim i qytetarëve në drejtësi,” theksoi Qorrolli, duke shtuar: “Shpresoj që Evropa të mos na ketë zili!”

Qorrolli theksoi se Kosova e sheh bashkëpunimin rajonal si domosdoshmëri, jo si formalitet.

Ai vlerësoi Procesin e Berlinit dhe Iniciativën Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI) si platforma thelbësore që e kthejnë dialogun në veprim dhe parimet në rezultate.

“Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm përgjegjësi ligjore, por një marrëveshje morale me qytetarët tanë. Ajo është themeli mbi të cilin ndërtohet paqja, zhvillimi dhe integrimi evropian. Asgjë nga kjo nuk do të ishte e mundur pa reformën demokratike dhe sundimin e ligjit. Kur bizneset e mëdha nuk mund të shmangin taksat, kur qytetarët besojnë se tatimet e tyre kthehen në mirëqenie, dhe kur investitorët e huaj gjejnë transparencë , atëherë kemi ndërtuar një shtet të drejtë dhe të qëndrueshëm,” deklaroi Qorrolli në përmbyllje.

Ngjarja u organizua nga RAI në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe Qeverinë e Bosnjë e Hercegovinës, në kuadër të Procesit të Berlinit. Republika e Kosovës u paraqit si shembull i reformave demokratike, qeverisjes së mirë dhe ndërtimit të një shoqërie të sigurt, të drejtë dhe transparente.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një vizitë thellësisht emocionale dhe simbolike, kandidatja e PDK-së…