
Zëvendësministri Qorrolli takohet me shefin e OSBE-së, bisedojnë për reformën në drejtësi
Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka pritur të mërkurën në takim shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, i cili shoqërohej nga zyrtarët e tjerë të këtij misioni, Mark Lasser, Therese Abrahamsen dhe Julija Vitanova.
Gjatë këtij takim, është diskutuar për prioritetet, punët në proces të Ministrisë së Drejtësisë dhe reformën në drejtësi.
Zëvendësministri Qorrolli, ka thënë se Ministria e Drejtësisë është në pritje të dy nismave, njëra lidhur me amendamentet që kanë të bëjnë me vetingun dhe tjetra për Projektligjin për KPK-në.
“Ministria e Drejtësisë është në pritje të vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese lidhur me amendamentet që kanë të bëjnë me vetingun dhe po ashtu edhe për opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me Projektligjin për KPK-në. Ndryshimet që janë bërë, vlerësojë se janë në përputhje me opinionet e mëparshme të Komisionit të Venecias dhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, andaj shpresoj që gjatë muajit shtator të marrim përgjigje dhe të adresohen tutje këto dy nisma nga Ministria e Drejtësisë”, ka thënë zëvendësministri Qorrolli.
Më tutje, Qorrolli ka folur edhe për çështjet e tjera si ajo e reformës penale, civile dhe administrative, pastaj adresimin e çështjeve që kanë të bëjë me dhunën në familje dhe dhunën ndaj gruas si dhe çështje tjera që ndërlidhen me sistemin e drejtësisë.
Zëvendësministri Qorrolli ka falënderuar shefin e OSBE-së, ambasadorin Davenport për bashkëpunimin e këtij misioni me Ministrinë e Drejtësisë lidhur me reformën në drejtësi.
Ndërsa shefi i Misionit të OSBE-së, Michael Davenport, ka theksuar se ky mision do të vazhdojë ta mbështesë Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe reformës në drejtësi.