Zëvendësministri Zeka: Institucionet e Kosovës po koordinohen për anëtarësim në Interpol

12 shtator 2018 | 14:56

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka folur për përgatitjet që po bënë MPB-ja për procesin e anëtarësimit në Interpol.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Kosova tashmë është pjesë e agjendës në takimin e radhës së Asamblesë e Përgjithshme që zhvillohet nga 18 deri më 21 nëntor 2018 në Dubai.

“Aktivitetet e institucioneve të Kosovës janë duke u koordinuar nga grupi punues ndërintistucional. Angazhimet dhe përpjekjet e institucioneve të Republikës së Kosovës janë gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenduara në nivelin nacional dhe me partnerët strategjik të Republikës së Kosovës.

Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare ka qenë dhe është një proces i pakthyeshëm dhe i pandalshëm, ashtu siç është dëshmuar me anëtarësimet e deritanishme të vendit tonë në më shumë se gjashtëdhjetë organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare”, ka thënë Zeka.

Ai ka shtuar se procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë është në interes të organizatave ndërkombëtare dhe shteteve anëtare në përgjithësi, dhe i Republikës së Kosovës në veçanti.

“Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë duhet të shihet nga të gjithë si një proces i natyrshëm dhe i domosdoshëm që do t’i kontribuojë rritjes së efikasitetit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtare në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar transnacional, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, ka thënë zëvendësministri Zeka.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka thënë…