Zgjedhja e presidentit, mblidhet grupi parlamentar i LV-së dhe ai i PDK-së
Grupet parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje (LV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) do të mblidhen sot para orëve vendimtare për zgjedhjen e presidentit.
Raportohet se grupi parlamentar i LV-së do ta mbajë mbledhjen në ora 13:30, ndërsa ai i PDK-së nga ora 14:00.
Këto takime zhvillohen në orët e fundit para vendimeve kyçe për zgjedhjen e presidentit, në një periudhë kur skena politike në vend pritet të marrë drejtim përfundimtar lidhur me këtë çështje,
Kosova ka hyrë në orët vendimtare për zgjedhjen e presidentit. Presidentes Vjosa Osmani i përfundon mandati më 4 prill. E sipas Kushtetutës, Kuvendi nëse dështon ta zgjedhë presidentin jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, atëherë shteti shkon në zgjedhje të reja.
Ka pasur interpretime të ndryshme se a duhet të jetë kjo datë 4 apo 5 marsi. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu pati thënë se është 4 marsi, e në LDK një ditë më herët u shprehën se afati përfundon më 5 mars.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa i ka Kuvendi.
Sipas Kushtetutës, për ta propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime të deputetëve. Lëvizja Vetëvendosje i ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.



